Asociacioni i Komunave të Kosovës sot do të mbajë protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Protesta do të nisë në ora 11:00, ndërsa ditë më parë u tha se kjo protestë mbahet për të kundërshtuar ndërhyrjet e nivelit qendror në kompetencat e komunave, obligimet financiare dhe mungesën e mbështetjes institucionale.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe i Ferizajt, Agim Aliu, në një konferencë për media, të mbajtur të shtunën theksoi se protesta do të mbahet në orën 11:00 dhe do të jetë paqësore, jopartiake dhe me karakter institucional.
Sipas tij, komunat nuk po kërkojnë privilegje, por respektimin e ligjeve dhe kompetencave që u takojnë.
“Komunat nuk janë duke kërkuar privilegje, komunat edhe nga motoja që po e shihni, po kërkojnë atë që u takon qytetarëve të Republikës, që përfaqësohen përmes kryetarëve të komunave në nivel komunal. Pra, kërkojmë që të zbatohen ligjet, kërkojmë që të mos ndërhyhet në kompetencat e kryetarëve, respektivisht të komunave të Republikës së Kosovës, si dhe të kenë trajtim të drejtë dhe institucional”, tha ai.





