Trump nuk shkon në ceremoninë e 11 Shtatorit në New York – mohon se arsyeja është ndalimi për të mbajtur fjalim

Bota

Presidenti amerikan Donald Trump ka mohuar raportimet se ka vendosur të mos marrë pjesë në ceremoninë zyrtare në Ground Zero, me rastin e 25-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, sepse organizatorët nuk e lejuan të mbajë fjalim. Sipas raportimeve, administrata Trump ishte informuar se presidenti pritej të merrte pjesë në ceremoninë në World Trade […]

Madhësia e shkronjave

Presidenti amerikan Donald Trump ka mohuar raportimet se ka vendosur të mos marrë pjesë në ceremoninë zyrtare në Ground Zero, me rastin e 25-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, sepse organizatorët nuk e lejuan të mbajë fjalim.

Sipas raportimeve, administrata Trump ishte informuar se presidenti pritej të merrte pjesë në ceremoninë në World Trade Center, por organizatorët i kujtuan Shtëpisë së Bardhë rregullin që ndalon figurat politike të mbajnë fjalime gjatë ceremonisë.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë nuk e konfirmoi këtë si arsye, transmeton Telegrafi.

Zëdhënësja e saj, Anna Kelly, tha se Trump do të nderojë viktimat dhe familjet e tyre, si dhe do të kujtojë zjarrfikësit, policët dhe të gjithë personat që rrezikuan jetën në përpjekje për të shpëtuar të tjerët.

Trump, ndërkohë, sulmoi ashpër gazetaren e The New York Times që publikoi raportimin, duke e akuzuar për “lajme të rreme” dhe duke mohuar se kishte kërkuar të fliste në ceremoninë e New York-ut.

“Kjo është një ceremoni solemne”, shkroi Trump në Truth Social, duke shtuar se në atë ditë duhet të kujtohen viktimat dhe familjet e tyre.

Në vend të Ground Zero-s, Trump do të marrë pjesë në ceremoninë në Pentagon, në Arlington të Virxhinias, një tjetër nga objektivat e sulmeve të 11 Shtatorit.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance pritet të marrë pjesë në ceremoninë në New York, së bashku me ish-presidentët Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama.

Trump kishte marrë pjesë për herë të fundit në ceremoninë e Ground Zero-s në vitin 2024, por edhe atëherë nuk mbajti fjalim.

Kur u pyet nëse do të merrte pjesë në të dyja ceremonitë, Trump dha një përgjigje të shkurtër: “Po shkoj në Pentagon”. /Telegrafi/