Interi ka regjistruar fitoren e dytë në Ligën e Kampionëve, duke mposhtur Feyenoordin me rezultat 3-0 në udhëtim. Skuadra italiane ka zhvilluar një paraqitje të mirë, duke marrë tri pikë të rëndësishme që e ndihmojnë të ngjitet në renditjen e kompeticionit.
Zikaltrit e nisën ndeshjen në mënyrë të shkëlqyer dhe kaluan në epërsi që në minutën e tetë. Yann Bisseck realizoi një gol të bukur nga jashtë zonës, me një goditje të fuqishme që përfundoi në anën e majtë të portës.
Interi e dyfishoi epërsinë në minutën e 34-të. Francesco Pio Esposito përfitoi nga një krosim i saktë dhe me goditje me kokë e dërgoi topin në rrjetë, duke e çuar rezultatin në 0-2.
Në pjesën e dytë, Piotr Zielinski shënoi golin e tretë për italianët në minutën e 54-t, me një goditje të shkëlqyer nga jashtë zonës. Interi pati edhe një gol tjetër përmes Espositos, por ai u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it.
Fitorja u shoqërua edhe me shqetësime për Interin, pasi Marcus Thuram u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 57-të për shkak të një lëndimi.
Me këtë triumf, Interi regjistron fitoren e dytë në Ligën e Kampionëve, arrin në gjashtë pikë dhe vazhdon ngjitjen në renditjen e kompeticionit. /Telegrafi/