IKShPK: 36 raste me fruth në Kosovë nga prilli deri në mes të qershorit

Nacionale

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se gjatë periudhës 16 prill – 15 qershor 2026 në vend janë raportuar gjithsej 36 raste të konfirmuara me fruth. Sipas të dhënave të publikuara, rastet janë regjistruar në disa komuna të Kosovës, ku numri më i madh është evidentuar në Ferizaj me […]

Madhësia e shkronjave

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se gjatë periudhës 16 prill – 15 qershor 2026 në vend janë raportuar gjithsej 36 raste të konfirmuara me fruth.

Sipas të dhënave të publikuara, rastet janë regjistruar në disa komuna të Kosovës, ku numri më i madh është evidentuar në Ferizaj me 10 raste, pasuar nga Prishtina me 8 raste dhe Kaçaniku me 6 raste.

Në Fushë Kosovë janë raportuar 3 raste, ndërsa nga 2 raste janë regjistruar në Lipjan, Obiliq dhe Vushtrri. Po ashtu, nga një rast është konfirmuar në Gjilan, Shtime dhe Deçan.

IKShPK ka rekomanduar që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit të kërkojë menjëherë ndihmë mjekësore.

“Çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, duhet të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Duke theksuar rrezikun e lartë të përhapjes së sëmundjes, IKShPK u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas kalendarit të rregullt të imunizimit.

“Duke pasur parasysh kontagjiozitetin e lartë të fruthit dhe rrezikun e përhapjes së tij në komunitet, u bëjmë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të sigurojnë vaksinimin sipas kalendarit të imunizimit”, thekson IKShPK.

Instituti ka ritheksuar se vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. /Telegrafi/