Orlando Gill është kthyer në një nga emrat më të përfolur të Kupës së Botës 2026. Portieri 25-vjeçar i Paraguait ishte heroi absolut në duelin ndaj Gjermanisë, duke pritur dy penallti dhe duke i siguruar kombëtares së tij një kualifikim historik në çerekfinale.
Me këtë paraqitje, Gill hyri në histori si portieri i parë që eliminon Gjermaninë në një seri penalltish në Kupën e Botës, pasi gjermanët nuk kishin humbur kurrë më parë në këtë mënyrë në turneun më të madh të futbollit.
I lindur në San Lorenzo të Paraguait, Orlando Gill hodhi hapat e parë në futboll në vendlindje, përpara se të transferohej në Argjentinë.
Karriera e tij mori hov te San Lorenzo de Almagro, ku fitoi shpejt vendin e titullarit falë reflekseve të shkëlqyera, qetësisë dhe personalitetit të fortë mes shtyllave. Paraqitjet në kampionatin argjentinas i hapën rrugën drejt Kombëtares së Paraguait.
Rrugëtimi i Gill nuk ka qenë i lehtë. Pas suksesit të tij në fushë fshihet një histori e dhimbshme familjare.
Vitin e kaluar, partnerja e tij, Melissa Ávalos, pati komplikacione serioze gjatë lindjes së djalit të tyre, Lautaro. Foshnja lindi vetëm një ditë më vonë dhe u vendos menjëherë në kujdes intensiv, ndërsa Melissa iu nënshtrua një operacioni urgjent.
Familja arriti të kthehej në shtëpi pak para Krishtlindjeve, por u përball me vështirësi të mëdha financiare për të përballuar shpenzimet mjekësore.
Në një rrëfim prekës në rrjetet sociale, Melissa zbuloi se Gill sakrifikoi gjithçka për familjen e tij.
“Nuk kishim asgjë dhe Orlando po shiste pajisjet e tij sportive për të mbuluar shpenzimet. Djali ynë luftoi për jetën e tij dhe babai i tij ishte gjithmonë pranë. Ai dha gjithçka, shiti gjithçka: rrobat, atletet, madje edhe fanellën e Kombëtares U20 të Paraguait, të cilën nuk mundi ta mbante si kujtim”, shkroi ajo.
Kjo periudhë e vështirë e forcoi edhe më shumë portierin, i cili vetëm pak muaj më vonë është shndërruar në heroin e një kombi të tërë.
Gill kishte zhvilluar një fazë grupesh shumë të mirë, por ndeshja ndaj Gjermanisë e ngriti në statusin e heroit kombëtar.
Në serinë e penalltive ai priti goditjet e Kai Havertz dhe Nick Woltemade, duke i dhënë fund një rekordi historik të Gjermanisë, e cila deri më tani nuk kishte humbur asnjëherë në penallti në Kupën e Botës.
Për dekada me radhë, gjermanët ishin sinonim i suksesit nga pika e bardhë, duke triumfuar ndaj Francës, Meksikës, Anglisë dhe Argjentinës në edicionet e mëparshme të Botërorit.
Pikërisht Orlando Gill dhe Paraguai i dhanë fund këtij miti.
Kritikat e Chilavert dhe përgjigjja e partneres së Gill
Pak ditë para ndeshjes, legjenda e futbollit paraguajan, José Luis Chilavert, kishte kritikuar stilin e lojës së Gill.
“Ai nuk flet, luan në heshtje. Futbolli ka të bëjë me komunikimin, sidomos për një portier. Kur kundërshtari kalon mesin e fushës, ai duhet t’u japë udhëzime mbrojtësve”, ishte shprehur Chilavert.
Deklaratat e tij shkaktuan reagime, ndërsa partnerja e Gill, Melissa Ávalos, iu kundërpërgjigj publikisht në rrjetet sociale.
“A po ndodh e gjithë kjo sepse ai nuk pranoi të nënshkruante me ty? Sepse nuk të zgjodhi ty? Deri para pak muajsh e quaje më të mirin, ndërsa tani po përpiqesh ta shkatërrosh psikologjikisht”, shkroi ajo.
Chilavert kritikoi gjithashtu trajnerin Gustavo Alfaro për faktin që e mbajti të hapur deri në fund çështjen e portierit titullar, duke pretenduar se kjo mund të ndikonte emocionalisht te Gill.
Besimi i Gustavo Alfaros dhe arritja si një nga portierët më të mirë të Botërorit
Pavarësisht kritikave, përzgjedhësi Gustavo Alfaro i besoi plotësisht Gillit dhe portieri ia shpërbleu me paraqitje të nivelit të lartë.
Ai ishte vendimtar gjatë gjithë fazës së grupeve dhe vazhdoi të shkëlqente edhe në ndeshjet eliminatore, duke u shndërruar në një nga liderët e qetë të skuadrës paraguajane.
Statistikat konfirmojnë ndikimin e Gill në Kupën e Botës 2026. Vetëm gjatë fazës së grupeve ai regjistroi 17 pritje, ndërsa u dallua edhe për daljet e sigurta dhe kontrollin e zonës.
Sipas renditjes së performancës së FIFA-s, ai e mbylli fazën e parë si portieri me vlerësimin më të lartë të turneut, përpara shumë emrave të mëdhenj të futbollit botëror.
Me vetëm 25 vjet mbi supe, Orlando Gill po e shfrytëzon skenën më të madhe të futbollit për t’u konfirmuar si një nga portierët më premtues në arenën ndërkombëtare.
Pas historisë së tij të vështirë personale dhe paraqitjeve heroike në Botëror, ai tashmë ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane, ndërsa në Paraguai konsiderohet simbol i sakrificës, karakterit dhe besimit se asgjë nuk është e pamundur. /Telegrafi/






