Financial Times publikoi një hetim të mërkurën duke pretenduar se Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit bleu një satelit kinez, për të ndihmuar forcat e saj të synojnë bazat ushtarake amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme.
FT tha se mori “dokumente ushtarake iraniane të rrjedhura” të cilat tregonin se sateliti ishte blerë në fund të vitit 2024 pasi u lëshua në hapësirë nga Earth Eye Co, një kompani në Kinë, faqja e internetit e së cilës thotë se ofron sisteme “shpërndarjeje në orbitë”, transmeton Telegrafi.
FT tha se dokumentet tregonin gjithashtu se IRGC-së iu dha qasje në stacionet tokësore komerciale të operuara nga Emposat, një ofrues me seli në Pekin i shërbimeve të kontrollit satelitor dhe të dhënave.
Sipas FT, kur u pyet nëse qeveria kineze kishte ndonjë njohuri në lidhje me marrëdhënien midis Emposat dhe IRGC-së, ambasada kineze në Uashington tha: “Ne kundërshtojmë fuqimisht palët përkatëse që përhapin dezinformata spekulative dhe insinuative kundër Kinës”.
FT raportoi se të dhënat i dhanë Iranit imazhe me rezolucion shumë më të lartë sesa mund të ofronin satelitët e tij dhe ndihmuan forcat iraniane të shënjestronin ose të vëzhgonin bazat ushtarake amerikane në Arabinë Saudite, Bahrein, Irak, Kuvajt, Jordani, Oman dhe Xhibuti.
Përdorimi i teknologjisë satelitore kineze për të shënjestruar forcat amerikane do të rezultonte i diskutueshëm, në një kohë kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump po përgatitet të takohet me homologun kinez Xi Jinping në Pekin muajin e ardhshëm.
Më herët këtë javë, CNN raportoi se inteligjenca amerikane tregoi se Kina po përgatitet të dorëzojë sisteme të reja të mbrojtjes ajrore në Iran brenda disa javëve të ardhshme, sipas tre personave të njohur me vlerësimet e fundit të inteligjencës.
I pyetur nga CNN në lidhje me inteligjencën amerikane dhe nëse ai ka folur me Xi për këtë çështje, Trump tregoi se Pekini do të përballet me pasoja nëse dërgon armë në Teheran.
“Nëse Kina e bën këtë, Kina do të ketë probleme të mëdha, në rregull”, tha ai
Një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington i tha CNN-së: “Kina nuk i ka furnizuar kurrë armë asnjë pale në konflikt; informacioni në fjalë është i pavërtetë”. /Telegrafi/






