Netanyahu thuhet se i kërkon Trumpit të sulmojë Iranin pas zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA

Bota

Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në të cilën u diskutua nëse dhe kur duhet të intensifikohen operacionet luftarake kundër Iranit, raportuan të dielën mediat amerikane. Sipas portalit “Axios”, një zyrtar amerikan dhe një izraelit bënë të ditur se të shtunën dy liderët diskutuan mbi ecurinë e negociatave […]

Madhësia e shkronjave

Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në të cilën u diskutua nëse dhe kur duhet të intensifikohen operacionet luftarake kundër Iranit, raportuan të dielën mediat amerikane.

Sipas portalit “Axios”, një zyrtar amerikan dhe një izraelit bënë të ditur se të shtunën dy liderët diskutuan mbi ecurinë e negociatave me Teheranin.

Netanyahu i bëri presion presidentit amerikan që të ndërmarrë sulme ndaj Iranit menjëherë pas zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA, ndërsa Trump shprehu dëshirën që negociatat të vazhdojnë.

Burimi izraelit e përshkroi bisedën si “të ashpër”, ndërsa burimi amerikan e cilësoi atë si “të drejtpërdrejtë”, raporton “Axios”.

Më vonë gjatë së dielës, Trump konfirmoi se kishte biseduar me Netanyahun të shtunën.

“Sapo pata një bisedë shumë të mirë me të”, tha Trump, duke shtuar se një nga temat e diskutimit ishte Irani.

Gjatë luftës tetëmujore, Trump ka ndjekur një qasje të dyfishtë ndaj Teheranit: nga njëra anë, një fushatë sulmesh ajrore dhe veprimesh të tjera ushtarake, dhe nga ana tjetër, përpjekje për të arritur një marrëveshje që do të mundësonte rifillimin e bisedimeve të paqes dhe hapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit për transportin jetik të naftës dhe gazit.

Të shtunën, presidenti u shpreh para gazetarëve se negociatat me Iranin për t’i dhënë fund luftës po ecin “mirë”, duke shtuar se kanë mbetur ende një ose dy objektiva për t’u “trajtuar”.

Ai theksoi gjithashtu se Uashingtoni nuk është në nxitim për të ndërmarrë veprime ofensive, pasi tashmë e ka shkatërruar në masë të madhe ushtrinë e Iranit dhe programin e tij bërthamor.

Bisedimet mes Trumpit dhe Netanyahut pasuan deklaratën e kreut të sigurisë së Iranit, Mohsen Rezaei, i cili bëri të ditur të shtunën se kishte marrë një letër nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, në të cilën kërkohej ringjallja e bisedimeve të ngecura.

Si një tjetër tregues se ndërmjetësuesit janë të interesuar për rifillimin e negociatave, një delegacion nga Katari mbërriti të premten në Teheran për bisedime me zyrtarë iranianë, njoftuan mediat shtetërore.

Trump është përballur me presion të madh politik lidhur me luftën në Lindjen e Mesme.

Zgjedhësit amerikanë në zgjedhjet e ndërmjetme janë të indinjuar nga rritja e çmimeve të karburanteve dhe kostove të tjera të jetesës – pakënaqësi që ata mund ta shprehin përmes votës së tyre. /Telegrafi/

Komentet