Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Kryesia e Kuvendit ka vendosur që seanca e radhës të mbahet të hënën në orën 11:00, ku pritet të shqyrtohet edhe një deklaratë lidhur me procesin në Hagë dhe vendimin e Gjykatës Speciale.
Haxhiu tha se mbledhja e sotme e Kryesisë ishte e para e kësaj legjislature dhe se ajo ishte zhvilluar pas një diskutimi të gjatë.
“Pas një mbeldhje të gjatë dhe aspka të lehtë sot mbajtëm mbledhjem e parë të kësaj legjislature. E kam thënë edhe më herët arsyesja se pse nuk kemi thërrit mbledhje të kryesisë ka qenë se Kuvendi dhe Qeveria ishin kontestuar nga PDK në Gjykatën Kushtetuese. Kryesia e Kuvendit vendosi sot që seanca e Kuvendit të mbahet të hënën në orën 11:00. Miratimin e një deklarate që lidhet me procesin në Hagë, përkatësisht me vendimin e padrejtë të Gjykatës Speciale. Të jetë një qëndrim i Kuvendit dhe Kuvendit ta ketë një qendrim në raport me këtë vendim përmes një deklarate”.
Kryetarja e Kuvendit ka reaguar edhe ndaj kritikave se nuk kishte thirrur seancë të jashtëzakonshme pas vendimit të Hagës.
Ajo sqaroi se kryetarja e Kuvendit nuk ka kompetencë që vetë të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme, duke theksuar se një kërkesë e tillë duhet të bëhet nga të paktën 40 deputetë.
“Janë bërë kritika në emrin tim se pse nuk kam thërrit një seancë të jashtëzakonshme pas vendimit të Hagës. Nuk ka pasur asnjë kërkesë që është proceduar në Kuvendin e Kosovës…Kryetarja e Kuvendit nuk ka të drejtë të thërras seancë të jashtme. Ata që kanë të drejtë ta bëjnë këtë janë 40 deputetë nënshkrues dhe menjëherë sapo të më vij edhe sot e kësaj dite një kërkesë e tillë do ta aprovoja…”.
Duke folur për projektligjin e iniciuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së, Haxhiu tha se nuk dëshiron ta paragjykojë nismën, por kërkoi që çdo veprim institucional pas vendimit të Hagës të jetë i menduar dhe i konsultuar.
“Tani më lejoni të sqaroj një gjë që konsideroj që është e rëndësishme dhe këtu pa paragjykim për projektligjin që është proceduar nga ana e grupit parlamentar të PDK-së. Mendoj që është shumë e rëndësishme secili veprim i institucioneve dhe grupeve parlamentare pas vendimit të Hagës. Refuzoj të mbështes çfarëdo iniciative që ka për qëllim vetëm me u duk që po bëjmë diçka. Nuk po dua me paragjyku nismën e Partisë Demokratike të Kosovës, por i ftoj të gjitha grupet parlamentare që mos të bëjmë propozime vetëm sa për t’u dukur që megjithatë po bëjmë diçka dhe që nuk kanë ndonjë peshë. Pra, në këtë fazë, pas vendimit të padrejtë të shkallës së parë, mendoj që secili nga ne duhet të jemi të kujdesshëm në kuptim të ndërmarrjes së veprimeve të duhura në kohë, por edhe vendime të drejta”, tha ajo.
Ajo ka kërkuar që, para ndërmarrjes së iniciativave ligjore, të konsultohen ekspertët e fushës dhe ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se, sipas informacioneve që ka, ekipet mbrojtëse nuk janë konsultuar për këtë projektligj
“Sa i përket projektligjit u munduam ta pyesim Tahirin se me kë jeni konsultuar, sepse mendoj që shumë më e drejtë të ishte që çfarëdo të bënim të vinim bashkërisht në Komisionin për Legjislacion dhe të draftonin një ndryshim-plotësim të ligjit. Ose që paraprakisht të paktën konsultohen ekspertët e fushës dhe ekipet e mbrojtjes. Nuk mendoj se bëjmë mirë nëse nuk i konsultojmë ekipet mbrojtëse për çfarëdo iniciative ligjore. Sipas informacioneve, ekipet mbrojtëse nuk janë konsultuar dhe është gabim”
Haxhiu ka bërë të ditur se projektligji tashmë është në procedurë parlamentare dhe se, pas pranimit të tij, është proceduar për mendim në Qeverinë e Kosovës.
“Megjithatë, tashmë ligjin e kemi në procedura kuvendore. Pra, në momentin kur unë kam pranuar projektligjin, ne e kemi proceduar për mendim në Qeveri. Ju e dini që sipas ligjit për nismat legjislative, çfarëdo nisme që procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kërkohet mendim paraprak nga Qeveria. Me ligj, Qeveria ka të drejtë 30 ditë ta shqyrtojë në dispozicion. Në qoftë se nuk i shfrytëzon ato 30 ditë, ligji procedohet në seancë pa mendimin e Qeverisë.Ne kemi qenë në komunikim, unë personalisht, kam qenë në komunikim me kryeministrin Kurti, u zotova edhe sot në mbledhjen e kryesisë që sërish do ta adresojmë, që ky projektligj të trajtohet nga ana e Qeverisë me prioritet, sidomos kur tani i kemi ditët e numëruara nëse flasim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Haxhiu. /Telegrafi/






