Haxhiu për Nënë Terezën: Një grua shqiptare që u bë ndërgjegje e njerëzimit

Nacionale

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar Nënë Terezën me rastin e 5 Shtatorit, Ditës së Nënë Terezës. Haxhiu ka thënë se kjo ditë është një mundësi për të nderuar jetën dhe veprën e një gruaje shqiptare që, sipas saj, u bë ndërgjegje e njerëzimit. “Sot, në Ditën e […]

Madhësia e shkronjave

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar Nënë Terezën me rastin e 5 Shtatorit, Ditës së Nënë Terezës.

Haxhiu ka thënë se kjo ditë është një mundësi për të nderuar jetën dhe veprën e një gruaje shqiptare që, sipas saj, u bë ndërgjegje e njerëzimit.

“Sot, në Ditën e Nënë Terezës, nderojmë jetën dhe veprën e një gruaje shqiptare që u bë ndërgjegje e njerëzimit”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka theksuar se Nënë Tereza e kaloi jetën pranë njerëzve që vuanin, të varfërve, të sëmurëve, të vetmuarve dhe të braktisurve.

“Madhështinë nuk e kërkoi në fjalë, por në shërbimin ndaj tjetrit, në përkushtim dhe në respektin e pakushtëzuar për jetën dhe dinjitetin e çdo njeriu”, ka deklaruar Haxhiu.

Duke folur për trashëgiminë e saj, ushtruesja e Detyrës së Presidentes ka thënë se prejardhja shqiptare e Nënë Terezës është burim krenarie, ndërsa vepra e saj i përket mbarë njerëzimit.

“Ajo la pas një shembull që nuk e humb fuqinë me kalimin e kohës dhe një porosi që mbetet po aq e rëndësishme për çdo brez: të mos kalojmë pa u ndalur pranë njeriut që vuan”, ka theksuar Haxhiu.

Në përmbyllje të mesazhit, ajo ka thënë se figura dhe trashëgimia e Nënë Terezës mbeten të rëndësishme për shqiptarët dhe për mbarë njerëzimin.

“Në këtë 5 shtator, Nënë Terezën e kujtojmë me krenari dhe me nderimin më të thellë. Ajo mbetet një prej figurave më të ndritura që kombi shqiptar i ka dhënë botës dhe një emër që njerëzimi e shqipton me respekt kudo”, ka thënë Haxhiu.