Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina është e gatshme të respektojë armëpushimin 3-ditor të shpallur nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Zelensky tha se sapo kishte biseduar me të dërguarit e presidentit amerikan, të cilët kanë nisur punën me palën ruse për procesin e negociatave.
“Që nga ky moment, ne jemi të gatshëm të respektojmë një armëpushim në sulmet ajrore ndaj qyteteve të përfshira në procesin e negociatave. Nga tani deri në përfundim të së shtunës, si edhe të dielën dhe të hënën, Ukraina është e gatshme të përmbahet nga sulmet ndaj Moskës dhe presim që edhe rusët të bëjnë të njëjtën gjë në lidhje me Kievin”, tha Zelensky.
Duke iu referuar përpjekjeve diplomatike, Zelensky theksoi se Ukraina synon që veprimet në këtë drejtim të jenë po aq të forta dhe efektive sa ato në fushën e mbrojtjes.
Ai bëri me dije gjithashtu se është miratuar plani për angazhimet diplomatike të së dielës në Kiev, me pjesëmarrjen e ekipit amerikan.
“Po presim Steve Witkoff dhe Jared Kushner dhe jemi të gatshëm për një bisedë thelbësore”, tha Zelensky.
Ndërkohë, presidenti ukrainas bëri të ditur se ka marrë raporte nga ministri i Mbrojtjes, Yevhenii Khmara, dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Mykhailo Drapatyi, lidhur me situatën në front, kërcënimet në hapësirën ajrore të Ukrainës, si dhe operacionet aktive mbrojtëse.
“Jam mirënjohës ndaj secilit prej luftëtarëve tanë për mbrojtjen efektive të pozicioneve të Ukrainës”, u shpreh ai.
Në përfundim, presidenti ukrainas falënderoi të gjithë ata që qëndrojnë në krah të Ukrainës.






