Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë thirrje që procedurat për zgjedhjen e presidentit të përmbyllen përmes një marrëveshjeje politike, me qëllim që vendi të mos shkojë në zgjedhje.
Hamza ka thënë se fillimisht duhet të miratohet ligji në të dy leximet, ndërsa më pas të propozohet dhe të votohet emri i presidentit.

Ai ka theksuar se qëndrimi i PDK-së, sipas tij, nuk lidhet vetëm me interesat e kësaj partie, duke argumentuar se institucionet dhe e ardhmja e Kosovës janë më të rëndësishme se çdo subjekt politik.
“Po e thashë, po e përsëris për të sotmen herë. Kërkesa dhe qëndrimi i PDK-së është edhe kjo nuk është për PDK-në. Se çka është më e madhe se PDK-ja. Historia, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës është më e madhe se gjithçka. Kosova është më e madhe se ne”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka përsëritur se alternativa që mbështet PDK-ja është miratimi i ligjit, zgjedhja e presidentit dhe shmangia e zgjedhjeve.
“Na po thojmë. Ne po themi me u aprovu ligji në të dy leximet. Pastaj me u propozu emri për president dhe me u zgjedh presidenti, e me u shmang zgjedhjet. Nëse dikush tjetër ka plan me çu vendin në zgjedhje, është tim tjetër”, ka thënë Hamza. /Telegrafi/





