Pas prezantimit të shërbimit të ri të pagesave X Money, një numër i madh përdoruesish të rrjetit social X kanë raportuar se po marrin mesazhe për rivendosjen e fjalëkalimeve, edhe pse nuk i kanë kërkuar vetë.
Kompania X ka nisur hetimet, por deri tani thotë se nuk ka gjetur prova për një depërtim në sistem.

Inxhinieri i produktit në X, Mridul Singhai, tha se sulmuesit duket se po përpiqen të përfitojnë nga prezantimi i gjerë i X Money për të marrë qasje të paautorizuar në llogaritë e përdoruesve.
Sipas tij, kompania po e heton situatën dhe nuk ka konstatuar deri tani ndonjë shkelje të sigurisë.
X Money është shërbimi i ri financiar i kompanisë, i cili përfshin kartë bankare dhe funksione të tjera pagesash. Pikërisht për shkak të natyrës financiare të shërbimit, llogaritë e X mund të jenë bërë objektiv më tërheqës për sulmuesit kibernetikë.
Ndërkohë, përdoruesve u është bërë thirrje të aktivizojnë autentifikimin me dy faktorë (2FA) dhe të tregohen të kujdesshëm ndaj mesazheve të dyshimta për ndryshimin e fjalëkalimit.
Sipas informacioneve të publikuara nga X, bëhet fjalë për një valë masive kërkesash të paautorizuara për rivendosjen e fjalëkalimeve, por nuk ka prova për marrje masive të llogarive. /Telegrafi/





