“Si golashënues, do të thosha se jam ndër më të mirët, por mendoj se Harry Kane dhe Kylian Mbappé kanë shënuar më shumë gola se unë këtë sezon, kështu që statistikisht, jo, nuk jam më i miri. Ky është realiteti”.
Kështu u shpreh Erling Haaland pas dy golave të tij ndaj Irakut në fitoren 4-1 të Norvegjisë.
Megjithatë, shifrat e përgjithshme tregojnë një histori krejt tjetër. Haaland duket se po e çon shënimin e golave drejt kufijve të pabesueshëm.
Sulmuesi i Manchester Cityt e udhëhoqi Norvegjinë drejt fitores 2-1 ndaj Brazilit në raundin e 16-të të Kupës së Botës, duke realizuar edhe një herë dy gola dhe duke e bërë garën për Këpucën e Artë jashtëzakonisht të ngushtë.
Lionel Messi ka tetë gola, ndërsa Haaland dhe Kylian Mbappe po ashtu kryesojnë listën e golashënuesve të turneut me nga shtatë gola secili, ndërsa Harry Kane i ndjek me gjashtë realizime.
Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, tre futbollistë kanë arritur shifrën e mbi shtatë golave në një edicion të vetëm të turneut.
Megjithatë, statistikat e Haalandit me Norvegjinë janë edhe më mbresëlënëse. Ai ka realizuar 62 gola në 54 paraqitje me kombëtaren, që i bie një mesatare prej 1.14 golash për ndeshje.
Asnjë futbollist në histori, mes atyre që kanë shënuar të paktën 60 gola në nivel kombëtar, nuk ka arritur të mbajë një mesatare të tillë.
Më së afërmi kanë qenë Ferenc Puskás, me 84 gola në 85 paraqitje për Hungarinë, dhe Kunishige Kamamoto, me 75 gola në 76 ndeshje për Japoninë. Të dy kanë pasur mesatare prej 0.99 golash për ndeshje.
Pas tyre renditen Ali Mabkhout me 0.74 gola për ndeshje, Ali Daei me 0.73, Romelu Lukaku me 0.71 dhe Harry Kane me 0.71.
Mesatarja e Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit, dy golashënuesve më të mirë të historisë në nivel kombëtar, është dukshëm më e ulët se ajo e Haalandit. Ronaldo ka shënuar 146 gola dhe Messi 124, ndërsa mesataret e tyre janë përkatësisht 0.63 dhe 0.61 gola për ndeshje.
Shifra të jashtëzakonshme edhe në nivel klubi
Një histori e ngjashme përsëritet edhe në nivel klubi. Haaland ka realizuar 359 gola në 418 ndeshje gjatë karrierës së tij, me një mesatare prej 0.85 golash për ndeshje. Ai është një nga të paktët sulmues të epokës moderne që i afrohet vazhdimisht një goli për ndeshje.
Te Salzburgu, ku shënoi 29 gola në 27 paraqitje, ai e tejkaloi këtë mesatare. Te Borussia Dortmundi realizoi 86 gola në 87 ndeshje, ndërsa te Manchester City ka shënuar 162 gola në 198 paraqitje.
Krahasuar me golashënuesit më të mëdhenj të kohëve të fundit, Haaland vazhdon të jetë përpara.
Lionel Messi ka shënuar 918 gola në 1,160 ndeshje dhe ka një mesatare prej 0.79 golash për ndeshje në karrierë. Kylian Mbappé ka 432 gola në 574 ndeshje, me mesatare 0.75.
Cristiano Ronaldo, golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit, ka realizuar 971 gola në 1,323 paraqitje, me një mesatare prej 0.73 golash për ndeshje.
Robert Lewandowski ka shënuar 718 gola në 1,036 ndeshje, me mesatare 0.69, ndërsa Harry Kane ka realizuar 527 gola në 766 paraqitje, me mesatare 0.68.
“Cyborgu” që synon të rrëzojë Anglinë
Me 62 gola për Norvegjinë, Haaland është barazuar me Zlatan Ibrahimovicin si golashënuesi më i mirë i kombëtareve nordike.
Dallimi është se Haaland e ka arritur këtë shifër në vetëm 54 ndeshje, ndërsa Ibrahimovic i kishte nevojitur 122 paraqitje.
“Nuk e di si ia dal, por nëse kam një ose dy raste, ato zakonisht përfundojnë me gol. Po filloj ta kuptoj, mendoj, se është një dhuratë nga Zoti që topi përshtatet në mënyrë të përkryer, pikërisht pranë shtyllës dhe të gjitha këto. Është çmenduri”, ka thënë Haaland pas dygolëshit ndaj Brazilit.
Haaland, për të përdorur një krahasim të dikurshëm të Fernando Hierros për Raulin, është një “Ferrari” që kërcënon t’i kalojë të gjithë.
Tani, objektivi i radhës është Anglia në çerekfinale. Norvegjia kërkon të vazhdojë rrugëtimin historik në Kupën e Botës, ndërsa Haaland synon të shtojë edhe më shumë gola në një turne ku tashmë është shndërruar në një nga figurat kryesore.
“Ne vazhdojmë. Shpresoj që të gjithë të rinjtë, kur të rriten pak më shumë, do ta konsiderojnë të luajturin për Norvegjinë si krenarinë më të madhe që kanë ndier ndonjëherë në jetën e tyre. Kjo është një nga ditët më të pabesueshme në historinë e futbollit norvegjez”, përfundoi Haaland. /Telegrafi/






