Onana përfshihet në aksident serioz trafiku me familjen në Turqi pas ndeshjes

Sport

Portieri i Trabzonsporit, Andre Onana, u përfshi në një aksident zinxhir të enjten në mbrëmje, pasi skuadra e tij mposhti skuadrën skoceze Hearts me rezultatin 2-0 në ‘Papara Park’, në kuadër të raundit të dytë të Ligës së Konferencës. Sipas agjencisë turke të lajmeve 61saat, Onana po kthehej në shtëpi pas përfundimit të ndeshjes, kur, […]

Madhësia e shkronjave

Portieri i Trabzonsporit, Andre Onana, u përfshi në një aksident zinxhir të enjten në mbrëmje, pasi skuadra e tij mposhti skuadrën skoceze Hearts me rezultatin 2-0 në ‘Papara Park’, në kuadër të raundit të dytë të Ligës së Konferencës.

Sipas agjencisë turke të lajmeve 61saat, Onana po kthehej në shtëpi pas përfundimit të ndeshjes, kur, disa kilometra larg stadiumit, automjeti që po drejtonte u godit nga një makinë që po lëvizte pas tij.

Nga përplasja, vetura e portierit kamerunas u shty përpara dhe goditi një automjet tjetër, duke shkaktuar një aksident zinxhir.

Në makinë ndodheshin edhe anëtarë të familjes së tij. Sipas raportimeve të mediave turke, fatmirësisht askush nuk pësoi lëndime. Përfaqësues të Trabzonsporit mbërritën gjithashtu në vendin e aksidentit për t’u siguruar për gjendjen e portierit.

Mediat britanike dhe gazeta italiane Gazzetta dello Sport raportuan se Onana u dërgua në spital për kontrolle mjekësore, por u lirua pas një kohe të shkurtër.

Sipas Gazzetta dello Sport, portieri po drejtonte një veturë të markës Hongqi E-HS9, e cila pësoi dëmet më të mëdha në pjesën e përparme, në anën e djathtë.

Ndërkohë, presidenti i Trabzonsporit, Ertugrul Dogan, deklaroi se Onana nuk ka probleme shëndetësore dhe i uroi shërim të shpejtë.

Portieri i kombëtares së Kamerunit është pjesë e Trabzonsporit në formë huazimi nga Manchester United për këtë sezon. Më herët gjatë karrierës, ai ka luajtur edhe për Interin./Telegrafi/

Komentet