Kombëtarja e Norvegjisë ka marrë një fitore të madhe dhe shumë të luftuar ndaj Senegalit me rezultat 3-2, në një ndeshje dramatike dhe me ritëm të lartë, që i siguroi kualifikimin në fazën e ardhshme të Kupës së Botës.
Heroi i ndeshjes ishte sërish Erling Haaland, i cili realizoi dy gola për norvegjezët, ndërsa Marcus Pedersen shtoi edhe një tjetër. Për Senegalit, të dy golat u shënuan nga Ismaila Sarr, duke e mbajtur ndeshjen të hapur deri në sekondat e fundit.

Norvegjia e nisi ndeshjen me presion të lartë dhe krijoi rastin e parë serioz në minutat e para, kur Kristoffer Ajer rrezikoi me kokë, por Edouard Mendy reagoi mirë. Megjithatë, ndeshja u komplikua për skandinavët pas dëmtimit të Julian Ryerson në minutën e 12-të, i cili u zëvendësua nga Pedersen.
Në minutën e 43-të, Norvegjia kaloi në epërsi pas një gabimi të rëndë të Kalidou Koulibaly, i cili i dhuroi topin Pedersen për golin e 1-0. Pak para pushimit, Haaland ishte pranë golit të dytë, por goditi shtyllën nga një pozicion i vështirë.
Në fillim të pjesës së dytë, Norvegjia dyfishoi epërsinë në minutën e 48-të. Pas një kundërsulmi të shpejtë të nisur nga Martin Ødegaard, Haaland u gjend në zonë dhe shënoi për 2-0 në stilin e tij karakteristik.
Senegali reagoi menjëherë dhe ngushtoi rezultatin në 2-1 në minutën e 54-të me golin e Sarr, pas një asistimi të Sadio Mané. Por gëzimi i afrikanëve zgjati pak, pasi vetëm katër minuta më vonë Haaland realizoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Norvegjinë, duke çuar rezultatin në 3-1.
Në minutat e fundit, Senegali shtoi presionin dhe në kohën shtesë Sarr shënoi golin e tij të dytë për 3-2, duke rikthyer emocionet deri në fund. Megjithatë, pavarësisht një rasti të artë në sekondat e fundit, afrikanët nuk arritën të barazonin.
Norvegjia mbron epërsinë dhe siguron një fitore të madhe, ndërsa Haaland vazhdon të jetë emri kryesor i këtij Botërori me një formë të jashtëzakonshme. /Telegrafi/





