Gjyqi për vrasjen e Tupac Shakur: Intervista e policisë do të përdoret si provë

Magazina

Një gjykatës në Nevada vendosi të martën se një kasetë e një interviste policore të vitit 2008 të Duane “Keffe D” Davis në lidhje me vrasjen e reperit Tupac Skahur mund të përdoret në një gjyq të ardhshëm. Fillimi i procesit është planifikuar për 10 gusht në Las Vegas. Gjyqtarja Carli Kierny e vendosi intervistën […]

Madhësia e shkronjave

Një gjykatës në Nevada vendosi të martën se një kasetë e një interviste policore të vitit 2008 të Duane “Keffe D” Davis në lidhje me vrasjen e reperit Tupac Skahur mund të përdoret në një gjyq të ardhshëm. Fillimi i procesit është planifikuar për 10 gusht në Las Vegas.

Gjyqtarja Carli Kierny e vendosi intervistën të pranueshme si provë në gjyqin kundër Davis, 63-vjeçarit të akuzuar për vrasjen e Shakur në vitin 1996. Prokurorët argumentuan se nuk kishte bazë ligjore për të përjashtuar pamjet filmike nga gjyqi, i cili pritet të zgjasë rreth katër javë.

Nga ana tjetër, mbrojtja argumentoi se intervista që Davis u dha hetuesve në vitin 2008 duhej të kishte mbetur konfidenciale. Avokati i tij, Michael Sanft, argumentoi se detektivët i thanë posaçërisht se intervista nuk duhej të përdorej kundër tij.

Rasti i vrasjes së Tupac Shakur u konsiderua për vite me radhë si një nga vrasjet më të famshme të pazgjidhura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hetimi mori vrull përsëri pasi Davis filloi të fliste publikisht për rastin, përfshirë edhe në një libër që ai shkroi si bashkautor, në të cilin ai tha se ishte në Cadillac dhe se kishte siguruar armën e përdorur në të shtëna.

Pjesë të asaj interviste u përdorën më vonë në librin e ish-detektivit të Policisë së Los Anxhelosit, Greg Kading, “Murder Rap: The Untold Story of the Biggie Smalls & Tupac Shakur Murder Investigations”, si dhe në dokumentarë, përfshirë edhe dokumentarin më të fundit “Sean Combs: The Reckoning”.

Shakur u qëllua me armë zjarri më 7 shtator 1996 në Las Vegas, ndërsa ishte ulur në një makinë në semafor të kuq me themeluesen e Death Row Records, Marion “Suge” Knight.

Një Cadillac i bardhë u afrua pranë tyre dhe u hap zjarr. Shakur u qëllua disa herë dhe vdiq gjashtë ditë më vonë, ndërsa Knight pësoi lëndime të lehta. /Telegrafi/