Mbi 546 mijë qytetarë të Ballkanit Perëndimor janë të punësuar në Gjermani dhe paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore.
Por nga janari i vitit 2027, Qeveria gjermane planifikon ta përgjysmojë kuotën për punësimin e punëtorëve nga rajoni, nga 50 mijë në vetëm 25 mijë persona në vit.
E në këtë mes hyn edhe Kosova, shkruan Arbeitsagentur.de, transmeton Telegrafi.
Gjermania planifikon të kufizojë numrin e punëtorëve që mund të punësohen përmes të ashtuquajturës “Rregullorja për Ballkanin Perëndimor”, një skemë që prej vitit 2016 u mundëson qytetarëve të Kosovës dhe pesë vendeve të tjera të rajonit të punojnë në Gjermani përmes procedurave të lehtësuara.

Sipas një komunikate të Agjencisë Federale të Punësimit, të publikuar më 16 tetor 2026, rreth 546 mijë shtetas të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut ishin të punësuar në Gjermani dhe i nënshtroheshin kontributeve të sigurimeve shoqërore në shtator të këtij viti.
Numri i tyre është rritur për rreth 170 mijë gjatë pesë vjetëve të fundit.
Kosova është ndër gjashtë vendet përfituese të kësaj rregulloreje, e cila u lejon qytetarëve të saj të marrin vizë pune në Gjermani edhe për profesione që nuk kërkojnë domosdoshmërisht kualifikim formal.
Megjithatë, plani për përgjysmimin e kuotës mund ta bëjë më të vështirë sigurimin e një miratimi për punësim për qytetarët e Kosovës që synojnë të punojnë në shtetin gjerman.
Nëse ndryshimi zbatohet nga janari i vitit 2027, numri i personave që mund të përfitojnë çdo vit nga kjo skemë do të ulet nga 50 mijë në 25 mijë për të gjitha vendet e përfshira.
Kuota aktuale, sipas Agjencisë Federale të Punësimit, nuk ka qenë e mjaftueshme për të gjitha aplikimet. Ajo është tejkaluar që në vitin 2025 dhe pritet të shterohet sërish para përfundimit të vitit 2026.
Agjencia Federale e Punësimit në Gjermani kërkon që kuota vjetore të mbetet në nivelin aktual prej 50 mijë personash.
Vanessa Ahuja, anëtare e Bordit të Agjencisë për Përfitimet dhe Çështjet Ndërkombëtare, thekson se rregullorja ka kontribuar në integrimin e punëtorëve nga Ballkani Perëndimor në tregun gjerman të punës.
Sipas saj, pavarësisht se skema nuk kërkon domosdoshmërisht kualifikim formal, 53% e punëtorëve të përfshirë në të, rreth 287 mijë persona, punojnë në pozita që kërkojnë aftësi profesionale.
Prej tyre, rreth 45% janë të punësuar në profesione ku Gjermania ka mungesë të fuqisë punëtore.
Ahuja paralajmëron se përgjysmimi i kuotës mund ta vështirësojë rekrutimin e punëtorëve për kompanitë gjermane dhe të ndikojë në sektorë si ndërtimtaria, transporti, logjistika, gastronomia dhe kujdesi shëndetësor.
Rregullorja për Ballkanin Perëndimor u mundëson qytetarëve të Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut të aplikojnë për punësim në Gjermani me kushte të lehtësuara.
Skema përfshin edhe punë që nuk kërkojnë kualifikim të lartë profesional. Për punësimin nevojitet miratimi përkatës nga Agjencia Federale e Punësimit, ndërsa kuotat ndahen sipas muajit dhe shtetësisë.
Nëse kuota për muajin përkatës dhe shtetësinë e aplikuesit shterohet, aplikimet e tjera nuk mund të procedohen përmes kësaj rruge deri në hapjen e kuotës përkatëse.
Përgjysmimi i planifikuar nuk nënkupton ndalimin e punësimit të qytetarëve të Kosovës në Gjermani, pasi vazhdojnë të ekzistojnë edhe rrugë të tjera ligjore të migrimit për punë./Telegrafi/





