Pas një faze provuese, qyteti zviceran i Gjenevës po e shndërron shërbimin falas të dërgesës së ushqimeve në shtëpi në një shërbim të përhershëm për personat e moshës 65 vjeç e lart. Shërbimi do të jetë i disponueshëm tashmë edhe për përfituesit e një shtese për kujdesin personal.
Personat që përfitojnë nga ky program mund të marrin dërgesë falas të pazareve të tyre një herë në javë.
Programi pilot për dërgesën falas të ushqimeve në shtëpi, i cili nisi në verën e vitit 2025, ka rezultuar një sukses i madh, me një mesatare prej 260 dërgesash në muaj, njoftoi të hënën Departamenti për Kohezion Social dhe Solidaritet (DCSS), shkruan Swissinfo.
Aktualisht, numri i përfituesve të këtij shërbimi është 300, ndërsa mosha mesatare e tyre është 79 vjeç, transmeton Telegrafi.
Duke u mbështetur në këto rezultate pozitive, DCSS ka vendosur që këtë nismë ta shndërrojë në një shërbim të përhershëm, duke zgjeruar njëkohësisht edhe grupin e personave që mund të përfitojnë prej tij.
Qëllimi i programit mbetet i njëjtë: nxitja e pavarësisë, lëvizshmërisë dhe lidhjeve shoqërore të të moshuarve, duke ua lehtësuar njëkohësisht kryerjen e pazareve të përditshme.
Dërgesat kryhen me biçikleta elektrike nga shoqata “Genèveroule”. Pazaret mund të bëhen në të gjitha tregjet ushqimore, si dhe në të gjitha supermarketet “Migros” që ndodhen brenda qytetit.
Shërbimi i dërgesës ofrohet nga e hëna deri të shtunën, me një kufizim prej dy çantash për çdo dërgesë, pesha totale e të cilave nuk duhet të kalojë 20 kilogramë./Telegrafi/