Spanca pas vrasjes së Arlinda Zekajt: Çdo paralajmërim për rrezik duhet të vlerësohet

Nacionale

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Mehmeti Spanca, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke kërkuar reflektim dhe llogaridhënie institucionale për trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Përmes një postimi në Facebook, Spanca e ka cilësuar këtë ngjarje si një humbje të rëndë njerëzore, e cila rikthen në vëmendje mangësitë e evidentuara në […]

Madhësia e shkronjave

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Mehmeti Spanca, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke kërkuar reflektim dhe llogaridhënie institucionale për trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Përmes një postimi në Facebook, Spanca e ka cilësuar këtë ngjarje si një humbje të rëndë njerëzore, e cila rikthen në vëmendje mangësitë e evidentuara në raportin e auditimit të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), me titull “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”, për periudhën 2020–2022.

Sipas saj, raporti kishte evidentuar mangësi në koordinimin ndërinstitucional, hetimin dhe monitorimin e urdhrave mbrojtës, përfshirjen e mbrojtësve të viktimave, regjistrimin e rasteve, si dhe ofrimin e mbështetjes sociale dhe ekonomike.

Po ashtu, ishin identifikuar vonesa në trajtimin gjyqësor të rasteve dhe mungesë e programeve për trajtimin e kryerësve të dhunës.

Spanca ka theksuar se rekomandimet e auditimit nuk duhet të trajtohen vetëm si mangësi procedurale, pasi ato lidhen drejtpërdrejt me aftësinë e institucioneve për të identifikuar rreziqet, për të reaguar me kohë dhe për të mbrojtur personat që kërkojnë ndihmë.

Ajo ka kërkuar që rekomandimet të zbatohen me urgjencë, përgjegjësi dhe transparencë, duke veçuar disa masa që duhet të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse.

Ndër to janë vlerësimi sistematik dhe profesional i rrezikut në çdo rast të raportuar, koordinimi efektiv ndërmjet Policisë, Prokurorisë, Gjykatave, Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave dhe Qendrave për Punë Sociale, si dhe monitorimi i vazhdueshëm i urdhrave mbrojtës.

Gjithashtu, ajo ka kërkuar që rastet e dhunës të trajtohen me prioritet, të shmangen vonesat që mund të rrezikojnë sigurinë e viktimave dhe të sigurohet mbështetje e vazhdueshme përmes strehimit, përkrahjes sociale e ekonomike dhe shërbimeve të specializuara.

Në fund, Auditorja e Përgjithshme ka theksuar rëndësinë e marrjes seriozisht të çdo raportimi për dhunë dhe të vlerësimit të çdo paralajmërimi për rrezik.

“Çdo raportim për dhunë duhet të merret seriozisht, çdo paralajmërim për rrezik duhet të vlerësohet dhe çdo masë mbrojtëse duhet të zbatohet e monitorohet”, ka shkruar Spanca./Telegrafi/

Komentet