Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, ka paralajmëruar se do të dorëzojë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe deputetes Albulena Haxhiu, nën dyshimin për cenim të rendit kushtetues dhe moszbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në një deklaratë publike, Geci ka thënë se, duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25 dhe vendimet pasuese, dyshon se veprimet ose mosveprimet e Kurtit dhe Haxhiut mund të kenë cenuar rendin kushtetues të Kosovës dhe të kenë përmbushur elemente të veprave të tjera penale.
“Unë, duke e lexuar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. KO124/25, po dyshoj se vetë Lëvizja Vetëvendosje, z. Albin Kurti dhe znj. Albulena Haxhiu, me veprimet ose mosveprimet e tyre, mund të kenë cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe mund të kenë konsumuar elemente të veprave të tjera penale”, ka deklaruar Geci.
Ai ka thënë se kallëzimin penal do ta paraqesë në cilësinë e qytetarit, duke kërkuar nga organet e drejtësisë që të hetojnë nëse veprimet e personave të përmendur përbëjnë vepra penale.
Sipas dokumentit të bërë publik nga Geci, kallëzimi do të drejtohet ndaj Albin Kurtit, në cilësinë e kryetarit të LVV-së dhe ushtruesit të detyrës së kryeministrit, si dhe ndaj Albulena Haxhiut, e cila aktualisht është deputete e Kuvendit të Kosovës.
Në kallëzim përfshihen edhe “persona të tjerë përgjegjës që mund të identifikohen gjatë procedurës hetimore”.
Geci pretendon moszbatim të vendimeve të Kushtetueses
Geci e lidh kallëzimin me procesin e konstituimit të Kuvendit pas zgjedhjeve të 7 qershorit 2026.
Sipas tij, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare zgjedhore më 8 korrik, ka lindur detyrimi kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e organeve drejtuese të tij.
Ai pretendon se, pavarësisht vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi nuk është konstituuar brenda afateve që, sipas tij, përcaktohen nga Kushtetuta dhe vendimet e gjykatës.
Në dokumentin e tij, Geci thotë se nga këto rrethana lind dyshimi se personat e kallëzuar mund të kenë kontribuar në “moszbatimin e vendimeve detyruese të Gjykatës Kushtetuese”, “pengimin e funksionimit normal të Kuvendit”, vonesën e krijimit të institucioneve dhe cenimin e funksionimit kushtetues të shtetit.
Përmenden nenet 114 dhe 414 të Kodit Penal
Në kallëzimin e paralajmëruar, Geci i referohet nenit 114 të Kodit Penal, që lidhet me “sulmin ndaj rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, si dhe nenit 414, për “keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ai thekson se bëhet fjalë për dyshim dhe se ekzistenca e elementeve të këtyre veprave duhet të përcaktohet nga organet kompetente përmes hetimeve.
Geci i kërkon Prokurorisë Speciale që të regjistrojë kallëzimin penal, të sigurojë aktgjykimin KO124/25 dhe vendimet pasuese të Gjykatës Kushtetuese, si dhe procesverbalet, transkriptet dhe incizimet e seancave konstituive të Kuvendit.
Ai kërkon gjithashtu intervistimin e personave të përmendur dhe të të gjithë atyre që kanë pasur përgjegjësi kushtetuese e ligjore në procesin e konstituimit të Kuvendit.
Në fund, Geci kërkon që Prokuroria të vlerësojë nëse ekzistojnë elemente të veprave penale të parapara në nenet 114 dhe 414 apo në dispozita të tjera të Kodit Penal dhe, nëse konstatohen elemente të veprës penale, të ndërmerren procedurat përkatëse ligjore.
Geci ka theksuar se në një shtet demokratik dhe juridik “askush nuk është mbi Kushtetutën dhe ligjin”, ndërsa përgjegjësinë përfundimtare, sipas tij, duhet ta përcaktojnë Prokuroria dhe gjykatat kompetente.






