Gabriel Jesus ka thyer heshtjen për transferimin e tij të befasishëm nga Arsenali te Barcelona, duke kritikuar ashpër drejtuesit e klubit anglez për mënyrën se si u trajtua gjatë ditëve të fundit në Londër.
Sulmuesi brazilian zbuloi se, pavarësisht se e kishte zhvilluar normalisht të gjithë fazën përgatitore me Arsenalin dhe e dinte se mundësitë për të luajtur do të ishin të kufizuara, drejtuesit e klubit papritur e lanë jashtë planeve të ekipit.
“E vërteta është se po stërvitesha dhe e zhvillova të gjithë fazën përgatitore normalisht me Arsenalin. E dija që ndoshta nuk do të luaja shumë ose nuk do të kisha aq shumë mundësi”.
“Por askush nuk më tha asgjë. Jam profesionist dhe, sigurisht, vazhdoja të stërvitesha me grupin, ndërsa papritur fillova të stërvitesha veçmas”.
“Po jepja maksimumin në stërvitje për të qenë gati, në rast se do të më jepej mundësia të luaja sërish në nivel të lartë. Pastaj, gjatë javës së fundit, gjithçka ndodhi shumë shpejt”.
Përballë një situate që nuk mund të vazhdonte më në veri të Londrës, Jesus tregoi se transferimi te Barcelona u konkretizua papritur gjatë javës së fundit të afatit kalimtar, pas kontakteve të drejtpërdrejta me drejtorin sportiv të klubit katalanas, Deco, dhe presidentin Joan Laporta.
“Deco dhe presidenti i Barcelonës më telefonuan, ndërsa agjenti im ishte fantastik. Brenda një kohe shumë të shkurtër pata mundësinë të vija këtu dhe thashë po, me çdo kusht. Tani jam këtu”, tha braziliani./Telegrafi/






