FSK-ja pjesë e misionit në Gaza, nënshkruhet marrëveshja për pjesëmarrje

Nacionale

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të marrë pjesë në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza (ISF), pasi është nënshkruar marrëveshja për pjesëmarrjen e saj në këtë mision. Marrëveshja e Participimit është nënshkruar gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të Komandantit të ISF-së në Gaza, Gjeneral Major Jasper Jeffers, në prani të ministrit në […]

Madhësia e shkronjave

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të marrë pjesë në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza (ISF), pasi është nënshkruar marrëveshja për pjesëmarrjen e saj në këtë mision.

Marrëveshja e Participimit është nënshkruar gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të Komandantit të ISF-së në Gaza, Gjeneral Major Jasper Jeffers, në prani të ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncit, dhe përfaqësuesit të Bordit të Paqes.

Marrëveshjen e kanë nënshkruar përfaqësuesit e Bordit të Paqes/ISF Gaza dhe Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

Gjatë ceremonisë, Jeffers ka vlerësuar vendimin e Kosovës për të kontribuar në këtë mision ndërkombëtar.

“Vlerësoi lart vendimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në këtë mision ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e kontributit të FSK-së në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Ndërkaq, Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, ka thënë se pjesëmarrja në misionet ndërkombëtare të sigurisë është pjesë e vizionit të Kosovës për të kontribuar në promovimin e paqes dhe sigurisë.

“Pjesëmarrja e FSK-së në misionet ndërkombëtare të sigurisë është pjesë e vizionit të Kosovës për të dhënë kontribut konkret në promovimin e paqes dhe sigurisë në botë”, thuhet në njoftim.

Sipas FSK-së, kjo marrëveshje paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e rolit të Kosovës në përpjekjet ndërkombëtare për paqe, siguri dhe stabilitet.

“KOMFSK theksoi se FSK synon të rrisë vazhdimisht kontributin e saj në sigurinë ndërkombëtare, me një objektiv të qartë strategjik, kalimin nga një importues i sigurisë në një eksportues të saj”, thuhet më tej në njoftim.

FSK-ja ka theksuar se synon të kontribuojë në mënyrë aktive në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë, së bashku me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë. /Telegrafi/