Fshati Ramjan i Vitisë ka njoftuar se Blini Park është pajisur me ndriçim të ri dhe modern, falë një iniciative të përbashkët të banorëve dhe bashkatdhetarëve në mërgim.
Në kuadër të projektit janë vendosur 20 shtylla ndriçimi me llamba moderne të prodhimit italian, duke përmirësuar ndriçimin dhe pamjen e parkut.
Vlera e përgjithshme e projektit arrin në 2,100 euro. Prej tyre, 1,400 euro janë siguruar përmes donacionit për materiale, ndërsa 700 euro përfaqësojnë punën e kryer vullnetarisht.
Donacioni prej 1,400 eurosh është dhënë nga bashkatdhetari Driton Vebi Emerllahu, i cili jeton dhe punon në Francë.
Ndërkohë, instalimi dhe montimi i ndriçimit është kryer pa pagesë nga elektricisti Halit Ismajli. Për përgatitjen e terrenit dhe hapjen e kanalit kanë kontribuar vullnetarisht edhe Sadush Hyseni, Shpend Ismajli, Beqir Hyseni dhe Kadri Ismajli.
Këshilli i Fshatit Ramjan ka falënderuar donatorin dhe të gjithë kontribuuesit, duke e vlerësuar projektin si një shembull të solidaritetit dhe bashkëpunimit në të mirë të komunitetit. /Telegrafi/





