Britania paralajmëron fundin e aeroplanëve luftarakë me pilot, Al tani merr drejtimin

Bota

Aeroplani i ardhshëm luftarak britanik, i njohur si “Tempest”, mund të jetë modeli i fundit që do të fluturojë me pilot në kabinë, ndërsa Al dhe dronët autonomë pritet të transformojnë rrënjësisht aviacionin ushtarak. Kështu ka deklaruar komandanti i Forcave Ajrore Mbretërore Britanike (RAF), Sir Harv Smyth, i cili tha se zhvillimi i aeroplanëve pa […]

Madhësia e shkronjave

Aeroplani i ardhshëm luftarak britanik, i njohur si “Tempest”, mund të jetë modeli i fundit që do të fluturojë me pilot në kabinë, ndërsa Al dhe dronët autonomë pritet të transformojnë rrënjësisht aviacionin ushtarak.

Kështu ka deklaruar komandanti i Forcave Ajrore Mbretërore Britanike (RAF), Sir Harv Smyth, i cili tha se zhvillimi i aeroplanëve pa pilot do të sjellë një ndryshim po aq të madh sa kalimi nga aeroplanët me helikë te ata reaktivë.

Aeroplani Tempest, i gjeneratës së gjashtë dhe me teknologji të avancuar për t’iu shmangur radarëve, po zhvillohet në kuadër të programit ndërkombëtar Global Combat Air Programme (GCAP), në bashkëpunim mes Britanisë së Madhe, Italisë dhe Japonisë.

Projekti miliardësh përfshin kompanitë BAE Systems, Leonardo dhe Japan Aircraft Industrial Enhancement Company, ndërsa synohet që aeroplani të hyjë në shërbim deri në vitin 2035.

“Aeroplani GCAP mund të jetë aeroplani i fundit luftarak me pilot që do të ndërtojmë ndonjëherë”, deklaroi Smyth për The Telegraph.

Sipas tij, e ardhmja e RAF-it do të mbështetet në kombinimin e aeroplanëve ekzistues Typhoon dhe F-35 me sisteme autonome të drejtuara nga Al.

Ai theksoi se teknologjia duhet të përdoret për të zvogëluar rrezikun për jetën e pilotëve, duke ua kaluar makinerive detyrat më të rrezikshme.

“Nëse përdoren siç duhet, Al dhe makineritë do të kryejnë detyrat më të rrezikshme në vend të njerëzve. Por teknologjia duhet të përmirësojë gjykimin njerëzor, jo ta zëvendësojë përgjegjësinë”, tha ai.

Komandanti britanik njoftoi gjithashtu se aeroplanët luftarakë pa pilot pritet të fillojnë fluturimet në hapësirën ajrore britanike gjatë vitit 2027.

Britania tashmë përdor dronin ushtarak Protector, i cili mund të qëndrojë në ajër rreth 40 orë dhe të mbajë raketa Brimstone e bomba precize Paveway.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë testuar së fundmi një sistem të ngjashëm, ku një aeroplan F-22 Raptor i drejtuar nga piloti bashkëpunoi me dronin autonom YFQ-44A Fury.

Gjatë testimit, droni interpretoi në mënyrë të pavarur udhëzimet taktike, zgjodhi manovrat dhe realizoi detyra të simuluara luftarake.

Këto zhvillime tregojnë se Al mund të marrë një rol gjithnjë e më të madh në operacionet ajrore, ndërsa aeroplanët luftarakë të së ardhmes mund të funksionojnë pa pilotë në kabinë. /Telegrafi/