Sulm kibernetik në sistemin e FBI-së, Trump sheh një anë pozitive

Bota

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ndaj raportimeve për një sulm të dyshuar kibernetik ndaj bazës kombëtare të të dhënave kriminale të FBI-së, duke e cilësuar incidentin si shqetësues, por duke sugjeruar se ai mund të sjellë edhe zbulime interesante. Gjatë një interviste për Fox News, Trump deklaroi se ndërhyrja në sistemin e FBI-së “nuk […]

Madhësia e shkronjave

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ndaj raportimeve për një sulm të dyshuar kibernetik ndaj bazës kombëtare të të dhënave kriminale të FBI-së, duke e cilësuar incidentin si shqetësues, por duke sugjeruar se ai mund të sjellë edhe zbulime interesante.

Gjatë një interviste për Fox News, Trump deklaroi se ndërhyrja në sistemin e FBI-së “nuk është diçka e mirë”, por shtoi se mund të ketë edhe një anë pozitive.

“Ndoshta do të mësojmë gjëra që nuk do t’i kishim mësuar kurrë ndryshe”, tha presidenti amerikan.

Ai iu referua hetimeve për ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, procesit të tij të parë të shkarkimit dhe pretendimeve të tij të pabazuara për mashtrime zgjedhore.

“Më pëlqen t’i shoh gjërat nga ana pozitive. Pyes veten kush po e bën këtë”, shtoi Trump.

FBI-ja po heton një ndërhyrje të mundshme në sistemin National Crime Information Center (NCIC), i cili përdoret nga autoritetet amerikane për shkëmbimin e informacioneve mbi personat e kërkuar, urdhërarrestet, historikun kriminal dhe automjetet e vjedhura.

Ende nuk dihet kush qëndron pas incidentit dhe nëse të dhënat janë vjedhur, ndryshuar apo janë komprometuar në ndonjë mënyrë tjetër.

Ekspertët paralajmërojnë se një ndërhyrje e tillë mund të rrezikojë jo vetëm privatësinë e informacioneve, por edhe saktësinë e të dhënave që policia përdor gjatë operacioneve të përditshme.

Ndërkohë, incidente të tjera kibernetike janë raportuar edhe në Departamentin Amerikan të Bujqësisë dhe në sistemet kompjuterike të legjislaturës së Virxhinias Perëndimore.

Autoritetet nuk kanë gjetur deri më tani prova që këto incidente të jenë të lidhura me njëri-tjetrin. /Telegrafi/