Federata e Arteve Mikse Marciale e Kosovës (FAMMK) ka shënuar një moment historik për sportin kosovar, duke marrë pjesë për herë të parë në Kampionatin Europian të MMA-së, të organizuar nga Global Association of Mixed Martial Arts (GAMMA) në Loutraki, Greqi, nga data 28 prill deri më 2 maj 2026.
Ky kampionat mblodhi mbi 250 sportistë nga e gjithë Europa, duke sjellë në arenë disa prej garuesve më të mirë të arteve mikse marciale në kontinent. Për Kosovën, kjo pjesëmarrje përfaqëson një hap historik në zhvillimin e MMA-së dhe një moment të rëndësishëm për afirmimin ndërkombëtar të sportistëve tanë.
Kosova u përfaqësua me një delegacion prej 10 garuesve, ku 5 ishin juniorë dhe 5 seniorë, të cilët treguan nivel të lartë sportiv, disiplinë dhe shpirt garues në debutimin e parë të shtetit tonë në këtë ngjarje madhore evropiane.
Rezultati më i spikatur erdhi nga Ermal Berisha, sportist i klubit 038 Fight Club, i cili në kategorinë -70 kg fitoi medaljen e argjendtë, duke u shpallur nënkampion i Evropës. Berisha zhvilloi një rrugëtim mbresëlënës drejt finales, duke regjistruar dy fitore të rëndësishme, por për shkak të një prerjeje serioze në vetull nuk u lejua nga stafi mjekësor të vazhdonte garimin në finalen e madhe.
Një tjetër sukses i rëndësishëm për Kosovën erdhi nga Ylli Rexhaj, sportist i klubit Prizreni MMA Center, i cili fitoi medaljen e bronztë në kategorinë -80 kg, duke dëshmuar cilësi të lartë sportive dhe përgatitje të shkëlqyer në konkurrencën seniore.
Në kategorinë e të rinjve, Muhamed Kashtanjeva, sportist i klubit MMA05 nga Ferizaji, fitoi medaljen e bronztë në kategorinë -58 kg, duke sjellë një tjetër rezultat të madh për delegacionin kosovar dhe duke konfirmuar potencialin e madh që posedon gjenerata e re e MMA-së në Kosovë.
Nënkryetari i Federatës së Arteve Mikse Marciale të Kosovës, Lirim Bllaca, i cili njëkohësisht udhëhoqi delegacionin kosovar në këtë kampionat, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e sportistëve, duke vlerësuar përkushtimin dhe performancën e tyre në debutimin historik të Kosovës në skenën evropiane. Ai gjithashtu përgëzoi punën profesionale të trajnerëve Arian Havolli dhe Visar Shala, duke theksuar se angazhimi i tyre ishte një faktor i rëndësishëm në rezultatet e arritura nga ekipi.
Debutimi i Kosovës në Kampionatin Evropian të MMA-së u kurorëzua me tri medalje evropiane — një të argjendtë dhe dy të bronzta — një sukses i jashtëzakonshëm që shënon fillimin e një kapitulli të ri për Federatën e Arteve Mikse Marciale të Kosovës dhe për sportin e MMA-së në vend.
Kjo paraqitje historike dëshmon se Kosova ka talent, cilësi dhe potencial për të konkurruar denjësisht në skenën evropiane dhe ndërkombëtare të arteve mikse marciale./Telegrafi/






