Faton Seferi ka dhënë dorëheqje nga funksioni i nënkryetarit të FC Drenicës, duke njoftuar gjithashtu tërheqjen nga marrëveshja për synimin e privatizimit dhe zhvillimit të klubit.
Në një letër të gjatë dhe emocionale drejtuar qytetarëve të Drenicës, tifozëve, futbollistëve, stafit dhe të gjithë bashkëpunëtorëve, Seferi ka theksuar se vendimi i tij vjen pas një periudhe njëvjeçare të mbushur me sakrifica, përkushtim dhe sfida të shumta, por edhe me dashuri të madhe për klubin dhe rajonin.
Ai ka treguar se angazhimi i tij në FC Drenicë ka nisur si një iniciativë për të investuar dhe jetuar në Kosovë, ndërsa më pas është përfshirë në futboll pa pasur më parë përvojë menaxheriale në këtë fushë.
Sipas tij, problemet financiare dhe borxhet e klubit kanë rezultuar shumë më të mëdha sesa ishin deklaruar fillimisht, gjë që e ka vështirësuar realizimin e projektit të privatizimit.
Seferi thekson se gjatë këtij rrugëtimi ka investuar edhe mjete personale për të shlyer borxhe dhe për të mbajtur funksionimin e klubit, duke pritur mbështetje nga partnerët dhe institucionet, e cila sipas tij nuk ka ardhur në nivelin e nevojshëm për vazhdimësinë e projektit.
Më poshtë postimi i Seferit, ku ka folur për të gjitha.
Të dashur qytetarë të Drenicës, sportdashës, tifozë të FC Drenicës, anëtarë të Kryesisë, futbollistë, trajnerë, sponsorë dhe të gjithë ju që më keni qëndruar pranë gjatë këtij rrugëtimi,
Sot po ju drejtohem me një nga shkrimet më të vështira që kam bërë ndonjëherë.
Me zemër të rënduar ju njoftoj se, me efekt të menjëhershëm, jap dorëheqje nga funksioni i Nënkryetarit të FC Drenicës dhe njëkohësisht tërhiqem edhe nga marrëveshja e synimit për privatizimin dhe zhvillimin e klubit.
Ky nuk është një vendim që e kam marr në një ditë. Është rezultat i një viti plot sakrifica, përkushtim, shpresë, zhgënjim, por mbi të gjitha dashuri për Drenicën dhe njerëzit e saj.
Gjithçka filloi kur miku im Betim Dajaku më kërkoi në Gjermani që ta ndihmoja FC Drenicën. Pak më vonë, përmes Betim Dajakut u organizua një takim me nënkryetarin e atëhershëm të Komunës së Skenderajt, z. Sami Lushtaku dhe Kryetarin e atëhershëm Fadil Nura. Ai më shpjegoi gjendjen e klubit dhe më kërkoi ta merrja përsipër këtë sfidë. Në të njëjtën kohë edhe partneri im, Dr. Thomas Wüstefeld, kishte shfaqur interesim për investime në futbollin e Kosovës dhe dëshironte të kishte një Klub Futbolli sepse ai vije nga ajo fushë, ka qenë edhe bashkëpronar tek HSV Hamburg dhe me atë do të vinin edhe sponsor me emër të madh si Adidas etj.
Unë nuk u ktheva në Kosovë për futbollin.
Nuk u ktheva sepse kisha ëndërr të drejtoja një klub futbolli.
Nuk u ktheva për t’u bërë president apo nënkryetar.
U ktheva sepse doja të jetoja në vendin tim, pranë familjes sime, të investoja në ekonomi dhe ta ndërtoja jetën time në Kosovë.
Kur mora përgjegjësinë për FC Drenicën nuk isha njeri i futbollit. Nuk kisha përvojë në menaxhimin e një klubi. Por kisha diçka që nuk më ka munguar kurrë: vullnetin për të punuar me ndershmëri dhe përkushtim dhe dashnin për vendim tim Kosovën.
Me kalimin e muajve kuptova se problemi nuk ishte vetëm sportiv.
Drenica ka nevojë për shumë më tepër investime.
Futbolli kosovar ka nevojë për shumë më tepër mbështetje.
Marrëveshja fillestare parashihte që unë të merrja përsipër deri në 400.000 euro borxhe, ndërsa pjesa tjetër të mbulohej nga Komuna. Pas auditimeve të gjata rezultoi se borxhet ishin shumë më të mëdha sesa ishte deklaruar fillimisht. Kjo e vështirësoi jashtëzakonisht realizimin e marrëveshjes.
Shleva një pjesë të konsiderueshme të borxheve të vjetra dhe financoja komplet klubin pa e pas në pronësi sepse edhe ishte koha e zgjedhjeve komunale dhe Komuna nuk mundi ta vendos në asamble për votim.
Prisja që partneri im të fillonte investimet e premtuara dhe prisja që Komuna ta fillonte procesin e privatizimit.
Më vonë u kuptua se marrëveshja juridikisht nuk mund të realizohej në atë moment, sepse sipas ligjit privatizimi i një klubi mund të bëhej vetëm gjatë muajit qershor, këtë unë nuk e kisha sqaruar më herët sepse pata menduar se derisa komuna e shkruan në marrëveshje që klubi privatizohet brenda 120 ditësh, atëherë mendoja se kjo edhe është e lejueshme me ligj, ndërsa unë e mora klubin më 1 korrik 2025.
Kjo nënkuptonte edhe një vit tjetër pritje.
Një vit të tërë ia kushtova FC Drenicës.
Kur partneri im, nuk ju përgjigj thirrjes sime për të investuar siç ishim dakorduar dhe nuk ishte më në gjendje të investonte dhe kur pashë se as institucionet nuk kishin mundësi reale për ta shtyrë përpara projektin, kuptova se kjo nuk ishte fusha ime.
Sepse ndërkohë Drenica ishte bërë pjesë e zemrës sime dhe kishte më së shumti nevojë për mua!
Të gjithë më bënë të ndihesha si njëri prej tyre.
Në fund të sezonit arritëm diçka që shumë pak e besonin.
Sidomos pjesa e dytë e kampionatit ishte dëshmi se çfarë mund të arrijë një klub kur ka organizim, disiplinë dhe zemër.
Pastaj erdhi përmbytja që shkatërroi fushën tonë për herë të dytë.
M’u premtua nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe Sportit, asokohe ministri Çeku se shteti do të ndërhynte menjëherë dhe se nuk duhej të investonim më.
Prandaj luajtëm ndeshjet si vendas në Malishevë.
Kur pashë se ndihma nuk po vinte, vendosa përsëri të investoja nga mjetet e mia për ta restauruar fushën, vetëm që FC Drenica të mund të luante në shtëpinë e saj.
Sot dua të falënderoj Ministrin e ri të Sportit për premtimin që ka dhënë për renovimin e zhveshtoreve dhe objekteve përcjellëse sipas projektit që kemi përgatitur. Besoj sinqerisht se ai do ta mbajë fjalën dhe se Drenica nuk do të lihet më pas dore.
Dua ta falënderoj edhe Federatën dhe Kryetarin Agim Ademi që ishte gjithmonë pran klubeve dhe në çdo kohë i qasshëm dhe që ka porositur ndriçimin për stadiumin e Drenicës dhe se Drenica do të jetë njëra ndër stadiumet e para që do të përfitoj nga projekti për ndriçimin e fushave të futbollit, gjithashtu pas vërshimeve na premtoi se nga UEFA do të vije ndihmë e që shpresoj se ajo ndihmë do të vije tani për Drenicën sepse të gjitha pajisjet janë shkatërruar nga vërshimet!
Gjithmonë kam pasur ndjesinë se Drenica ka merituar më shumë.
Kjo trevë ka dhënë jashtëzakonisht shumë për Kosovën.
Historia e saj është historia e sakrificës.
Vetëm familja Jashari është simbol i lirisë së këtij shteti.
Për këtë arsye gjithmonë kam besuar se Drenica meriton më shumë investime, më shumë vëmendje dhe më shumë mbështetje.
Unë mund të jem futur në këtë rrugëtim për shkak të disa miqve.
Qëndrova sepse nuk mund ta lija këtë klub në mes të rrugës.
Sot po largohem vetëm sepse kam arritur në përfundimin se nuk mund të jap më atë që klubi ka nevojë.
Dhe FC Drenica meriton njerëz që mund ta çojnë edhe më larg.
Megjithatë dua ta dini se çdo premtim personal që ua kam dhënë lojtarëve, stafit apo kujtdo tjetër do ta mbaj.
Edhe në të ardhmen, sa herë të kem mundësi, do ta ndihmoj FC Drenicën.
Nga zemra falënderoj familjen time, e cila sakrifikoi një vit të tërë të jetës sonë.
Falënderoj të gjithë anëtarët e Kryesisë.
Falënderoj tifozët që nuk e humbën kurrë besimin.
Falënderoj edhe Komunën e Skenderajt, e cila, pavarësisht vështirësive, në fillim kishte vullnet të mirë për ta ndihmuar klubin.
Jam i bindur se pas konstituimit të institucioneve të reja do të gjenden zgjidhje edhe për borxhet historike të gjitha klubeve sportive, ndaj ATK-së dhe për investimet që futbolli kosovar i meriton.
Besoj gjithashtu se vizioni që kemi përgatitur për FC Drenicën nuk do të ndalet.
Shpresoj që ata që do të vijnë pas nesh ta vazhdojnë atë rrugë.
Unë sot po largohem nga funksioni, por jo nga zemra e Drenicës.
Drenica do të mbetet gjithmonë pjesë e jetës sime.
Ju faleminderit për besimin, respektin dhe dashurinë që më keni dhënë gjatë këtij viti.






