Shqiptari Ermal Hadribeaj humb me nokaut në sekondën e fundit luftën për titullin e kampionit të botës ndaj Sebastian Fundorës.
Boksieri amerikan e fitoi duelin me një goditje të fuqishme me të majtën në sekondën e fundit të raundit të 12-të, duke ruajtur titullin e tij të WBC-së. Kjo ishte mbrojtja e katërt e suksesshme e titullit për Fundoran, i cili regjistroi fitoren e 25-të në karrierën profesioniste.
Hadribeaj e nisi mirë përballjen, Fillimisht duke u futur në ring me një xhaketë kuqezi dhe me të filluar përballja, duke synuar goditjet në trup dhe duke u përpjekur të shfrytëzonte hapësirat në mbrojtjen e kundërshtarit.
Megjithatë, Fundora arriti të merrte kontrollin gradualisht, duke e ushtruar presionin dhe duke goditur vazhdimisht në pjesën e trupit.
Boksieri shqiptar u ndëshkua me zbritje pikësh për mbajtje të kundërshtarit në raundin e tretë dhe të 11-të. Pavarësisht rezistencës së tij, Fundora e gjeti momentin vendimtar në sekondat e fundit, duke e rrëzuar Hadribeajn me një goditje të majtë.
Me këtë humbje, Hadribeaj pësoi disfatën e parë në karrierën profesioniste, duke mbetur me bilancin prej 23 fitoresh, një humbjeje dhe një barazimi.
Ndërkohë, Fundora, 28-vjeçar, regjistroi fitoren e pestë radhazi që nga humbja me nokaut ndaj Brian Mendoza në prill të vitit 2023.
Ai tashmë synon unifikimin e titujve në këtë kategori, duke përmendur si kundërshtarë të mundshëm Jaron Ennisin dhe Josh Kellyn.
“Dëshiroj të luftoj për t’u bërë kampion i padiskutueshëm në këtë kategori”, deklaroi Fundora pas meçit.
Hadribeaj, boksier shqiptar me bazë në Miami, e kishte siguruar mundësinë për të luftuar për titullin pas fitores ndaj Bakary Samake, i cili deri atëherë nuk kishte pësuar humbje në karrierën profesioniste. /Telegrafi/






