“Cili âsht intelektuali? A mos âsht ai i cili studjoi në nji universitet të huej dhe fitoi nji diplomë? Jo, shum herë jo! Njeriu intelektual âsht ai i cili, çfarëdo qofsh rasat e studimit qi mund të két pasun, nuk përton me mêndue; i cili ka msue me përdorun méndën me të cilen âsht i pajtuem, tue e shti në punë në rrahjen e problemeve të jetës së vet dhe të vllazënve; i cili nuk pranon çdo thânje qi ndihmon se fjalë qi lexon, e qi përpiqet me ndamun kokrrën e së vërtetës nga krundet e pallavrave e t’interesës vehtjake; ai i cili tue pasun të gjitha kto, âsht mjaft i përvujtë sa me përfitue nga ekserjenca e të tjervet …”
Ky paragraf i shkurtër që botohej në revistën Illyria, në vitin 1935, sikur na vizaton që para thuajse një shekulli një skicë të cilësive që e formësojnë intelektualin e mirëfilltë, por edhe misionin që ai duhet të ketë brenda shoqërisë së vet, të cilat unë do t’i thjeshtëzoja duke i ndarë në tre kategori: në atë të edukimit dhe formësimit, të gjuhës që përdor dhe të qëndrimit publik që ai mban.
Ndonëse sot përfundimi i një universiteti, madje edhe kryerja e magjistraturës dhe doktoraturës, janë procese që duken krejtësisht normale e të arritshme prej thuajse gjithkujt që shpreh dëshirën për ta bërë atë, dikur kjo nuk ka qenë aq e thjeshtë. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për realitetin shqiptar, por edhe më gjerë, ku veçanërisht studimet pasuniversitare ishin objektiv vetëm i një pjese të vogël të atyre që përfundonin një universitet dhe që kishin zellin dhe veçoritë e nevojshme për t’u thelluar në një disiplinë të caktuar shkencore. Për rrjedhojë, edhe ai person që i përfundonte këtë proces, nuk fitonte vetëm përvojën e të thelluarit në një shkencë të caktuar, por merrte edhe përgatitjen e nevojshme për ta kthyer informacionin empirik në dije që përdoreshin në dobi të individit dhe shoqërisë.
Ndonëse roli i universitetit në zhvillimin e shoqërisë kërkon një shtjellim më vete, ajo çka duhet theksuar në lidhje me këtë shkrim ka të bëjë me faktin se ekziston një ndryshim thelbësor ndërmjet misionit që sot universiteti ka, me atë që mbartte deri para disa dekadash. Sot, fatkeqësisht, universitetet janë kthyer në institucione që veprojnë duke u përqendruar më së shumti tek kërkesat e tregut të punës, duke e cunguar kështu në masë të madhe rolin e tyre si mjedise ku kalohet nga informacioni tek dija, e madje dhe urtësia.

Intelektuali është pjesë e shoqërisë në të cilën bën pjesë vetë ai, flet me gjuhën e të gjithëve dhe i prek nga afër të gjitha problemet me të cilat përballet komuniteti i tij. Njërën këmbë e mbështet në truallin e punës së tij, e cila, për nga natyra është vetmitare në atë që kërkon suksesi në profesion, ndërsa këmbën tjetër e ka brenda shoqërisë, duke i prekur nga afër të gjitha problematikat e saj dhe ndarë me njerëzit e tjerë shqetësimet që ka. Dhe, teksa e luan këtë rol të rëndësishëm, mbi të gjitha lipset të tregojë thjeshtësinë e nevojshme për ta parë veten e vet si individ i shoqërisë ku bën pjesë. Pra, si model suksesi në aspektin profesional, ai është i përulur të mësojë prej bisedës dhe shkëmbimit të mendimeve me gjithkënd cilindo që përballet.
E rëndësishme gjithashtu duhet të jetë gjuha që përdor intelektuali, i cili në njërën anë duhet të përdorë leksikut që ia imponon niveli profesional, por nga ana tjetër të zhvillojë atë komunikim që nuk e shkëput prej fjalorit të njerëzve të komunitetit të tij. E kur flasim për gjuhën, ai duhet të thotë gjithnjë të vërtetën, edhe në ato raste kur ajo bie në kundërshtim me interesat e tija personale. Pikërisht kjo veçori e bën profesionistin që lëvron dijen të fitojë statusin e “intelektualit”, i cili nuk është një gradë që fitohet por një status social që atij ia njeh shoqëria.
Elementi i tretë është ai i qëndrimit që duhet të mbajë intelektuali në një shoqëri në zhvillim si kjo e jona. Dijet që ai ka nxënë, profesioni që mbart dhe roli orientues që ka në shoqëri, ia imponojnë intelektualit të krijojë një qasje me integritet në shoqërinë e vet, pavarësisht rrethanave personale apo sociale. Thënë ndryshe, intelektuali i mirëfilltë është një kritik i përjetshëm. Jo thjesht për të kritikuar gjithçka, por për të kërkuar vazhdimisht më të mirën për shoqërinë e vet. Në këtë drejtim, kritikat e tij nuk lidhen me mbajtjen e një kahu politik apo të sulmuarit e një tjetri, por ato janë konstruktive dhe synojnë gjithnjë përmirësimin e sistemit, të rregullave, të jetesës, të funksionimit të rendit shtetëror e social.
Një nocion tjetër që shkon krah më krah me intelektualin kur bëhet fjala për rolin orientues që ai ka në shoqëri, është edhe ai i elitave. Pa u futur në debatet konceptuale se çfarë janë elitat, cilët aktorë të shoqërisë konsiderohen pjesë e tyre dhe cili është roli i tyre, këtu do të mjaftohem vetëm duke iu referuar të dyja termave sipas kuptimit që opinioni i gjerë publik i jep: si një grup apo rrjet të njerëzve profesionistë që ndikojnë në përcaktimin e temave, debateve dhe politikave të vendit.
Mirëpo, lind pyetja, a e luajtën elitat tona intelektuale këtë rol gjatë këtyre thuajse katër dekadave të stërgjatura të tranzicionit tonë? Përgjigja nuk duket se është e kënaqshme.
Pa tentuar aspak ta relativizoj duke u marrë me emra të përveçëm, por duke parë thjesht ato figura publike që qëndrojnë në “kolltukun” e intelektualit të jetës sociale të vendit, është tejet e mundshme që rezultati të dalë në pah vetvetiu. Të tillë, vërejmë të kenë përfunduar studimet më të mira të mundshme në Shqipërinë e para viteve ‘90, për t’u specializuar më vonë në universitetet më të mira të Europës. Por, fill pas ndryshimit të regjimit, shohim se e kanë “tradhtuar” profesionin duke “rënë në krahët” e politikës. Dikush mund të thotë fare me të drejtë se kjo është një lëvizje e drejtë dhe në dobi të shoqërisë, gjë e cila teorikisht tingëllon e vërtetë nëse do të kemi parasysh nevojën që kishte Shqipëria pas-komuniste për profesionistë me përvojë në kuadër të rindërtimit të institucioneve të një shteti pluralist. Por, fakti që “intelektualë” të tillë nuk u bënë pika referimi të politikanëve, por përkundrazi, u kthyen në vegla të tyre dhe u rikthyen në auditorët e universiteteve pasi kishin dështuar në politikë, tregon se këto lëvizje qenë bërë me qëllime qartësisht pragmatiste.
Së dyti, së paku për atë pjesë të intelektualëve të fushave të artit dhe të shkencave sociale, me akrobacitë nga shkenca në politikë e tërthorazi, pikësëpari duket se shkelmuan vazhdimësinë në shkencë, të cilës iu rikthyen vetëm pasi ishin shkelmuar prej politikës. Për më tepër, fatkeqësisht ky realitet na përball me “elita intelektuale “ të atilla që, e përshfaqën “përshtatjen” ndaj pushtetit politik edhe në atë që shkruanin, duke krijuar kështu profilin e “shkencëtarit” apo artistit amorf e pa integritet profesional.
Nëse kthehemi pas dhe bëjmë një bilanc të këtyre 35 vjetëve të shkuar, ndoshta kjo mangësi e një rrjeti intelektual, i cili do të orientonte shoqërinë, të korrigjonte, madje edhe fshikullonte politikën aty ku duhej, është edhe zbrazëtia më e madhe që i mungon panoramës së tranzicionit të zgjatur shqiptar. Zbrazëti, e cila kërkon së paku edhe një brez të dytë për t’u mbushur, pasi edukimi i njeriut është një proces që nuk mund të përmbushet me hartime planesh e projektesh, por me breza që japin dhe përçojnë shembullin e tyre personal tek gjeneratat që i pasojnë. Ajo kërkon dhjetëvjeçarë të tërë, ku dija dhe përvoja e grumbulluar përçohet nga njëri brez në tjetrin. Pikërisht kështu krijohet edhe tradita intelektuale, si një institucion me rëndësi jetike për një sferë publike që gjallon e nuk nënshtrohet.





