Marshi i servilëve mbi rrënojat e ligjit

opinion

Kosova nuk po rrezikohet vetëm nga një pushtet me prirje autoritare. Ajo po rrezikohet nga një racë njerëzish që për një pozitë, një tender, një emërim apo një copë afërsi me pushtetin, janë të gatshëm ta nxjerrin në pazar ligjin, moralin dhe vetë shtetin. Rreziku më i madh i këtij vendi nuk janë vetëm politikanët […]

Madhësia e shkronjave

Kosova nuk po rrezikohet vetëm nga një pushtet me prirje autoritare. Ajo po rrezikohet nga një racë njerëzish që për një pozitë, një tender, një emërim apo një copë afërsi me pushtetin, janë të gatshëm ta nxjerrin në pazar ligjin, moralin dhe vetë shtetin. Rreziku më i madh i këtij vendi nuk janë vetëm politikanët që tentojnë të kapin institucionet, por servilët që ua mbajnë derën hapur dhe dalin pastaj për ta arsyetuar çdo shkelje si “zgjidhje politike”.

Ajo që ndodhi në Kuvend ishte e frikshme. U tentua të shtyhej procesi i votimit për presidentin pa i pasur 80 deputetë në sallë, duke hyrë në një territor të rrezikshëm të shkeljes kushtetuese. Por, më skandaloze se akti, ishte arroganca me të cilën kjo trajtohej. Mesazhi i deputetit që shkruante “po e zgjedhim presidentin qeshtu karate, pastaj shohim çka thotë Kushtetuesja” zbulon krejt mentalitetin e kësaj logjike: së pari e shkelim shtetin, pastaj merremi me pasojat.

Kjo nuk është politikë normale; është mendësi autoritare. Është bindja se Kushtetuta është vetëm letër që përdoret kur të leverdis dhe anashkalohet kur bëhet pengesë. Fati i vetëm i Kosovës sot është se këta njerëz ende i frikësohen zemërimit publik. Sepse respekt për Kushtetutën nuk treguan; treguan vetëm frikë nga ndëshkimi i rrugës.

Edhe më neveritës se vetë tentimi, është kori i servilëve që doli menjëherë për ta zbardhur skandalin. Juristë që e dinë shumë mirë çfarë thotë ligji, analistë që e kuptojnë rrezikun, njerëz me tituj akademikë që në vend se ta mbrojnë rendin kushtetues, përdorin dijen e tyre për ta manipuluar opinionin publik.

Nuk u quajt shkatërrim i normës. Nuk u quajt tentim i rrezikshëm. Nuk u fol për precedentin që po krijohej, e as për dhunimin e parimeve demokratike. Filluan menjëherë me dredhi semantike: “ishte përpjekje për dalje nga kriza”, “ishte interpretim procedural”, “duhet parë konteksti”. Kjo është forma më e ulët e prostituimit intelektual: ta dish të vërtetën dhe prapë të zgjedhësh t’i shërbesh pushtetit kundër shtetit tënd.

Kosova po mbushet me njerëz pa shtyllë kurrizore. Njerëz që ndërrojnë parti sa herë ndërrohet pushteti. Dje shanin një lider, sot i puthin duart. Dje flisnin për demokraci, sot arsyetojnë tendenca autoritare. Nuk kanë parime, nuk kanë karakter, kanë vetëm interes personal. Dhe, pikërisht këta njerëz janë oksigjeni i çdo pushteti të rrezikshëm. Sepse asnjë pushtet nuk bëhet autoritar vetëm. I duhen njerëz që për përfitime personale janë të gatshëm t’i thonë popullit se e zeza është e bardhë.

Ky marsh nuk ndalet në dyert e Kuvendit; ai futet në çdo zyrë dhe në çdo shtëpi. Dhe, këtu vjen kostoja reale: ndërsa servilët marshojnë drejt zyrave të shtetit, njerëzit e ndershëm marshojnë drejt ambasadave.

Ky është krimi i vërtetë. Duke e kthyer servilizmin në kusht për mbijetesë, kjo racë njerëzish po e dëbon integritetin nga ky vend. Kosova po zbrazet jo sepse nuk ka bukë, por sepse nuk ka ajër për njerëzit që refuzojnë të zvarriten. Kush nuk di të thurë lavde për liderin, kush nuk di të bëjë “karate” me ligjin, e sheh veten të huaj në tokën e tij. Jemi duke krijuar një ambient ku mediokriteti i përkulur sundon mbi gjenialitetin e drejtë.

Ndaloni së kërkuari fajtorin vetëm te “lideri”. Fajtorët janë ata që sot po i mësojnë fëmijët e tyre se dinjiteti nuk hahet, por përkulja të ngit. Një shoqëri nuk vdes vetëm nga politikanët e këqij; ajo vdes kur mbushet me njerëz pa karakter që janë të gatshëm ta shesin gjithçka për pak rehati personale.

Kosova nuk po mbytet nga forca e autokratëve, po mbytet nga pesha e miliona kompromiseve të vogla me ndërgjegjen. Nëse sot nuk keni guximin për të thënë “Jo”, nesër mos kërkoni drejtësi kur rrënojat e ligjit t’ju zënë frymën të gjithëve.