Edhe sot protestë në Prishtinë, pas një nate të tensionuar dhe disa të lënduarve

Nacionale

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe për sot ka thirr protestë në Prishtinë. OVL e UÇK-së ka bërë thirrje qytetarëve dhe kategorive të dala nga lufta e UÇK-së që qysh në orët e mëngjesit të jenë në sheshin e Prishtinës. Nesër, mëngjesi duhet të na gjejë të gjithëve në sheshin […]

Madhësia e shkronjave

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe për sot ka thirr protestë në Prishtinë.

OVL e UÇK-së ka bërë thirrje qytetarëve dhe kategorive të dala nga lufta e UÇK-së që qysh në orët e mëngjesit të jenë në sheshin e Prishtinës.

Nesër, mëngjesi duhet të na gjejë të gjithëve në sheshin e Prishtinës.

Të bashkuar dhe me dinjitet, për të mbrojtur atë që është e jona dhe për të dëshmuar se UÇK-ja na bashkon”, thuhet në njoftimin e OVL e UÇK-së.

Ndryshe, mbrëmë pas një nate të tensionuar në Prishtinë, Policia e Kosovës ka njoftuar rreth protestës, ku janë shënuar incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe zyrtarëve policorë.

Sipas Policisë, gjatë protestës disa pjesëmarrës kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarre dhe mjete të forta në drejtim të objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Siç thuhet në njoftim, për shkak të situatës, Policia thotë se ka ndërhyrë disa herë për të parandaluar përshkallëzimin, duke përdorur pajisjet policore, përfshirë gazin lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.

Policia ka bërë të ditur se tre persona janë shoqëruar në stacion policor, për shkak të mosrespektimit të thirrjeve për qetësi dhe dyshimeve për veprime në kundërshtim me ligjin.

Sipas Policisë, ndaj tyre veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Ndërkohë, gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme si pasojë e hedhjes së mjeteve në drejtim të institucioneve dhe, në disa raste, edhe ndaj policëve që ishin në detyrë.

Policia ka njoftuar se të gjithë zyrtarëve të lënduar u është ofruar trajtim mjekësor.

Edhe 11 qytetarë apo protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë protestës.

Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka bërë të ditur se 12 persona janë lënduar gjatë protestës. Në mesin e tyre është një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe 11 civilë.

Syla ka deklaruar se shumica e të lënduarve kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të pasojave nga gazi lotsjellës, ndërsa dy persona kanë pësuar lëndime prerëse në pjesë të ndryshme të trupit.

“Janë të lënduar 12 persona, prej tyre një polic dhe 11 civilë. Shumica prej tyre janë ankuar në veprimet e gazit lotsjellës. Dy prej tyre kanë pasur lëndime prerëse në pjesë të ndryshme të trupit”, ka thënë Syla.

Sipas tij, të gjithë të lënduarit janë trajtuar në Qendrën Emergjente dhe, pas marrjes së trajtimit mjekësor, janë liruar për në shtëpi. /Telegrafi/