Bashkimi Evropian nuk ka arritur një konsensus për vendosjen e sanksioneve ndaj ministrit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben Gvir.
Sipas raportimeve, disa shtete anëtare kishin propozuar masa ndëshkuese ndaj tij, por mungesa e unanimitetit brenda BE-së ka bllokuar miratimin e tyre.
Çështja lidhet me polemika të vazhdueshme rreth veprimeve dhe deklaratave të Ben Gvir, të cilat disa vende evropiane i kanë cilësuar si të papranueshme dhe provokuese.
Megjithatë, disa shtete anëtare mbeten kundër sanksioneve ose kërkojnë një qasje më të kujdesshme diplomatike, duke bërë që BE-ja të mos arrijë marrëveshje të përbashkët.
Shefja për politikë të jashtme dhe siguri në BE, Kaja Kallas, komentoi dështimin për arritjen e marrëveshjes për sanksione ndaj Ben Gvir.
“Muajin e kaluar, ministrat u pajtuan për sanksione ndaj kolonëve ekstremistë izraelitë dhe figurave të Hamasit. Shumë shtete anëtare gjithashtu kanë propozuar sanksione ndaj ministrit Ben Gvir — por sot nuk u arrit konsensus për këtë”, pohoi ajo.
Ndryshe, Ben Gvir gjatë ditës së sotme ka vazhduar me retorikën nacionaliste duke hedhur poshtë marrëveshjen e arritur mes SHBA-së dhe Iranit, e cila parasheh paqe në rajon. /Telegrafi/






