Gresa Krasniqi, vajza e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar publikisht një muaj pas dënimit të babait të saj me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Përmes një postimi, ajo ka bërë të ditur se gjatë një bisede telefonike, babai i saj i ka treguar se ka refuzuar kontrollin nga mjekët dhe se nuk do të pranojë më kujdes mjekësor nga institucionet ku po mbahet.
“Erdhën disa doktorë për të më kontrolluar, natyrisht që i refuzova. Jam këtu pa të drejtë, më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk më duhet as kujdesi i tyre. Ju të jeni të informuar se unë nuk do të pranoj më asnjë kujdes nga ana e tyre”, ka cituar ajo fjalët e babait të saj.
Gresa ka shprehur shqetësimin për gjendjen dhe shëndetin e Krasniqit, duke theksuar se ai është në një moshë kur ka nevojë për përkujdesje të veçantë.

“Si bijë, natyrisht që u shqetësova. Babi është në një moshë kur ka nevojë për kujdes të veçantë”, ka shkruar ajo.
Ajo ka shprehur gjithashtu ndjenjën e pafuqisë përballë situatës në të cilën ndodhet babai i saj, duke kritikuar mënyrën se si është trajtuar nga drejtësia ndërkombëtare.
“Si mund t’i kërkoj të pranojë kujdesin e atyre institucioneve, kur ai ndihet i tradhtuar pikërisht nga drejtësia që duhej ta mbronte?”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas saj, gjatë bisedës telefonike, ajo ka arritur t’i thotë vetëm disa fjalë mbështetëse.
“Ne jemi këtu, Babi. Të duam të fortë, të duam të shëndetshëm”, ka cituar ajo fjalët që ia kishte drejtuar babait.
Në fund të reagimit, Gresa Krasniqi e ka cilësuar dënimin e babait të saj si padrejtësi.
“Dënimi i Babit nuk është një gabim që pret të korrigjohet. Është një padrejtësi!”, ka përfunduar ajo./Telegrafi/