Bashkimi ka pësuar humbje në xhiron e tretë të FIBA Europe Cup, pasi u mposht nga skuadra estoneze Bigbank Kalev me rezultat 88-84, në një përballje të ngushtë që u vendos në minutat e fundit.
Skuadra nga Prizreni e nisi ndeshjen me një disavantazh minimal, pasi çereku i parë përfundoi 20-19 për estonezët. Bashkimi reagoi në dhjetëminutëshin e dytë, të cilin e fitoi 21-19, duke shkuar në pushim me epërsi të lehtë.
Megjithatë, Kalev u rikthye fuqishëm në çerekun e tretë, duke triumfuar 28-24 dhe duke krijuar epërsinë që në fund rezultoi vendimtare. Në çerekun e fundit, të dyja skuadrat zhvilluan lojë të barabartë, me estonezët që fituan 21-20 dhe e mbyllën takimin me katër pikë epërsi.
Lejson Zeqiri ishte basketbollisti më efikas te Bashkimi me 23 pikë, ndërsa Divine Myles kontribuoi me 20 dhe Shannon Shorter me 15 pikë. Adrio Bailey e përfundoi ndeshjen me 10 pikë.
Te skuadra fituese, Hugo Toom shkëlqeu me 22 pikë, kurse Damian Forrest dhe Kevaughn Allen realizuan nga 15 pikë secili.
Pas kësaj ndeshjeje, Bashkimi ka regjistruar një fitore dhe një humbje në këtë garë, ndërsa i mbetet për t’u zhvilluar edhe ndeshja e shtyrë ndaj Manchester Basketball.
Në xhiron e ardhshme, prizrenasit do të kenë përparësinë e parketit vendas, ku do të përballen me ekipin francez Elan Chalon, me synimin për t’u rikthyer te fitorja në garat evropiane. /Telegrafi/
