Dukagjini fiton spektaklin ndaj Gjilanit – pesë gola, dy në kohën shtesë

Sport

Dukagjini i është rikthyer fitores në Superligën e Kosovës pas rreth katër muajsh e gjysmë, duke shënuar një triumf dramatik ndaj Gjilanit. Në ndeshjen e zhvilluar të dielën në terrenin me bar sintetik në Gjilan, skuadra nga Klina fitoi 3-2, në kuadër të xhiros së 29-të. Fitorja e fundit e Dukagjinit në elitë kishte qenë […]

Madhësia e shkronjave

Dukagjini i është rikthyer fitores në Superligën e Kosovës pas rreth katër muajsh e gjysmë, duke shënuar një triumf dramatik ndaj Gjilanit.

Në ndeshjen e zhvilluar të dielën në terrenin me bar sintetik në Gjilan, skuadra nga Klina fitoi 3-2, në kuadër të xhiros së 29-të. Fitorja e fundit e Dukagjinit në elitë kishte qenë më 30 nëntor, në transfertë ndaj Llapit.

Dukagjini kaloi në epërsi në minutën e 23-të me Altin Merlakun. Ai e ekzekutoi penalltinë, por portieri Agron Kolaj e ndali gjuajtjen e parë dhe e devijoi topin, ndërsa Merlaku reagoi më shpejt në topin e kthyer dhe shënoi për 1-0.

Pjesa e dytë solli më shumë gola dhe tension. Robert Rrahmani barazoi në minutën e 51-të, por vetëm pesë minuta më vonë Dienit Isufi riktheu epërsinë për Dukagjinin, duke e bërë rezultatin 2-1.

Gjithçka u vendos në minutat shtesë. Udoyen Akpan shënoi një gol të bukur nga zona në minutën e 92-të për 2-2.

Por Dukagjini nuk u dorëzua dhe në minutën e 95-të Dardan Morina realizoi golin e fitores për 3-2.

Me këto tri pikë, Dukagjini e forcon pozitën e gjashtë me 38 pikë, ndërsa Gjilani mbetet i pesti me 43 pikë. /Telegrafi/