Drita rikthehet sonte (e enjte) në fushë për ndeshjen e kthimit ndaj Tre Fiorit, në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Skuadra gjilanase e ka bërë një hap të madh drejt kualifikimit pas fitores bindëse 4-1 në udhëtim, duke krijuar një avantazh të rëndësishëm para përballjes së dytë.
Tashmë, Dritës i mbetet edhe një hap për ta konfirmuar kalimin në “play-off”, ku do të kërkojë të vazhdojë rrugëtimin drejt fazës së ligës së kësaj gare evropiane.
Ndeshja do të zhvillohet në Prishtinë, ndërsa Drita synon ta menaxhojë avantazhin e krijuar në San Marino dhe të mos lejojë ndonjë befasi në shtëpi.
Tre Fiori, në anën tjetër, udhëton drejt Kosovës me një detyrë tejet të vështirë. Skuadra nga San Marino duhet të përmbysë deficitin prej tri golash në mënyrë që të mbajë gjallë shpresat për kualifikim.
Pas paraqitjes së parë, Drita shihet si favorite e madhe për të kaluar në raundin tjetër, por trajneri dhe futbollistët do të kërkojnë përqendrim maksimal deri në vërshëllimën e fundit. /Telegrafi/






