Është hedhur shorti për raundin paraeliminator të Ligës së Kampionëve në futsall, ndërsa kampionia e Kosovës, Drenica, do të garojë në Grupin D.
UEFA ka hedhur sot (e mërkurë) në Nyon të Zvicrës shortin për raundin paraeliminator të Ligës së Kampionëve në futsall për edicionin e ri, ku kampionia e Kosovës, Drenica, ka mësuar kundërshtarët me të cilët do të përballet në garën evropiane.
Skuadra kosovare është shortuar në Grupin D, ku do të ketë përballë Ujpest FC nga Hungaria, S.S. Murata nga San Marino dhe Sakarya Karasu 1933 SK nga Turqia.
Drenica do të synojë ta kalojë me sukses këtë fazë dhe të sigurojë një vend në “Main Roun” të Ligës së Kampionëve, përballë kundërshtarëve që premtojnë sfida të forta.
Ndeshjet e raundit paraeliminator do të zhvillohen në format turneu, në një vend organizues të vetëm, gjatë periudhës 25-30 gusht 2025, ku secila skuadër do të luajë nga tri ndeshje.
Nga kjo fazë, fituesit e tetë grupeve do të sigurojnë kualifikimin në raundin kryesor të Ligës së Kampionëve, ku do t’u bashkohen skuadrave me koeficient më të lartë të UEFA-s.
Në varësi të numrit përfundimtar të pjesëmarrësve, mund të kualifikohen edhe disa nga vendet e dyta me bilancin më të mirë.
Tashmë kampionët e Kosovës do të nisin përgatitjet për ndeshjet e raundit paraeliminator, me synimin për të përfaqësuar sa më denjësisht futsallin kosovar në arenën evropiane. /Telegrafi/






