Në analizën e tij për The Telegraph, gazetari David Blair, i cili prej dy dekadash ndjek zhvillimet në politikën e jashtme, vlerëson se Donald Trump ndodhet përballë tri opsioneve në përballjen me Iranin, por sipas tij, asnjëri prej tyre nuk është i favorshëm.
Blair shkruan se deklaratat e presidentit amerikan duhen marrë me rezervë. Më 17 prill, Trump deklaroi për CBS News se Irani “kishte pranuar gjithçka”, por vetëm katër ditë më vonë, zëvendëspresidenti JD Vance anuloi papritur udhëtimin për në Pakistan për t’u takuar me përfaqësues iranianë, pasi në realitet pothuajse asgjë nuk ishte dakorduar.
Siç thonë shpesh diplomatët në samite, “asgjë nuk është dakorduar derisa gjithçka të jetë dakorduar”. Sipas Blair, mënyra e Trumpit për të bërë diplomaci e përmbys këtë logjikë, duke shpallur se gjithçka është zgjidhur edhe atëherë kur negociatat janë ende larg përfundimit.
Sipas analizës, Trump aktualisht ka tri mundësi.
Marrëveshje e shpejtë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit
Irani ka propozuar rikthimin e lundrimit të lirë në këmbim të heqjes së bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane dhe garancisë se SHBA-ja nuk do t’i rikthehet luftës. Megjithatë, një marrëveshje e tillë e shpejtë mund të mos përfshijë kufizime të reja për programin bërthamor iranian, përveç pranimit të situatës aktuale, ku pasurimi i uraniumit është ndalur përkohësisht. Çështje të tjera, si programi raketor apo akuzat për terrorizëm, do të liheshin jashtë marrëveshjes dhe do të shtyheshin për negociata të ardhshme.
Avantazhi kryesor i këtij skenari do të ishte ulja e çmimeve të naftës dhe shmangia e një krize të rëndë ekonomike globale, ndërsa Trump do ta paraqiste atë si një fitore politike, transmeton Telegrafi.
Por, sipas Blair, ky opsion do ta dobësonte ndjeshëm presionin amerikan ndaj Iranit. Nëse Teherani nuk është tërhequr nën embargo dhe sulme ajrore, pse do të pranonte lëshime pasi këto presione të hiqeshin? Për më tepër, një marrëveshje e tillë do të nënkuptonte në mënyrë indirekte pranimin se Irani ka kontroll mbi këtë korridor jetik detar. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet ta kundërshtojë ashpër një zgjidhje të tillë.
Vazhdimi i embargos dhe insistimi për një marrëveshje gjithëpërfshirëse
Opsioni i dytë parashikon mbajtjen e embargos amerikane ndaj porteve iraniane dhe presion maksimal për të arritur një marrëveshje më të gjerë, që do të përfshinte jo vetëm rihapjen e ngushticës, por edhe programin bërthamor dhe çështjet e tjera të sigurisë.
Në rast suksesi, ky do të ishte skenari më i favorshëm për Uashingtonin. Megjithatë, rreziku qëndron te fakti se Ngushtica e Hormuzit do të vazhdonte të mbetej e mbyllur, ndërsa ekonomia botërore do të afrohej gjithnjë e më shumë drejt krizës. Irani mund të vazhdojë të refuzojë kompromiset, duke besuar se vendosmëria e Trumpit do të dobësohet para se dëmet ekonomike globale të bëhen të padurueshme.
Opsioni i tretë do të ishte rikthimi në konflikt ushtarak, me synimin për ta hapur me forcë Ngushticën e Hormuzit dhe për t’i imponuar Iranit kushtet amerikane.
Sipas Blair, ky është edhe opsioni më i rrezikshëm. Një operacion i tillë do të kërkonte me shumë gjasë trupa tokësore amerikane dhe do të sillte pasoja të rënda për tregjet energjetike dhe ekonominë globale. Edhe nëse SHBA-ja do të arrinte ta hapte ngushticën, nuk ka garanci se regjimi iranian do të pranonte kushtet amerikane për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Në fund, Blair arrin në përfundimin se Trump e ka vendosur veten në një situatë ku nuk ka zgjidhje të mira. Përballë kësaj dileme të ndërlikuar, ai vlerëson se opsioni më joshës për presidentin amerikan mund të jetë një marrëveshje e shpejtë dhe e pjesshme. /Telegrafi/






