Ariana Grande ka zbuluar se po rikuperohet nga një dëmtim në këmbë, pasi fansat e vunë re duke çaluar gjatë performancave të saj në Londër.
33-vjeçarja u ka treguar fansave se ka pësuar një “prerje të thellë” në këmbë dhe për këtë arsye është detyruar të ndryshojë edhe veshjen e saj për dy koncertet e fundit në O2 Arena.
Ariana tha se do të shmangë takat e saj karakteristike dhe do të zgjedhë këpucë më të rehatshme, ndërsa rikuperohet, shkruan DailyMail.
“Do të duhet të vesh këpucë të rehatshme për shfaqjen e kësaj mbrëmjeje dhe ndoshta edhe nesër, pasi jam e fashuar dhe po rikuperohem nga një dëmtim i vogël”, u shpreh këngëtarja.
Ajo sqaroi se nuk bëhet fjalë për ndrydhje apo dëmtim muskulor, por për një prerje të thellë që i shkakton vështirësi në mbështetjen e peshës në atë këmbë.
Pavarësisht dëmtimit, Ariana konfirmoi se do të ngjitet në skenë dhe do të vijojë koncertet e planifikuara. “Mos u shqetësoni. Do të vazhdoj shfaqjen dhe jam duke u shëruar. Mezi pres të performoj për ju sonte dhe nesër, edhe nëse jam disa centimetra më e shkurtër se zakonisht”, tha ajo me humor.
Fansat kishin shprehur shqetësimin e tyre në rrjetet sociale pasi e panë duke çaluar gjatë rezidencës së saj dhjetënetëshe në Londër.
Ndërkohë, këto koncerte shënojnë edhe fundin e turneut “Eternal Sunshine”, pas të cilit këngëtarja pritet të marrë një pushim të planifikuar nga angazhimet e saj profesionale. /Telegrafi/






