Të paktën 44 persona janë lënduar, njëri prej tyre rëndë, pasi një tren që transportonte 186 pasagjerë doli nga shinat në Francën veriore të premten, sipas zyrtarëve.
Ministri i Transportit, Philippe Tabarot, shkroi në rrjetin social X se treni po udhëtonte midis qyteteve Rouen dhe Caen në rajonin e Normandisë.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, u aktivizua një plan reagimi për incidente me shumë të lënduar, duke mobilizuar 130 zjarrfikës, pesë ekipe mjekësore dhe 80 automjete.
Autoritetet vendore njoftuan se incidenti ndodhi rreth orës 19:45.
“Papritur pati disa tronditje dhe më pas, pas rreth tre sekondash, ato u bënë gjithnjë e më të fuqishme”, tha për mediat vendore një nga pasagjerët, Louis, 24 vjeç.
“Nuk mund të qëndroja më në vendin tim”, shtoi ai. “Dritaret u thyen pjesërisht dhe gurët nga shinat hynë brenda vagonit. Ishte vërtet tronditëse. Ende po dridhem”.
Siç bëhet e ditur më tej, dyzet e katër pasagjerë u lënduan, si dhe një grua 18-vjeçare e cila u evakuua në “gjendje kritike”, sipas Sebastien Gallois, prokurorit të Rouen-it.
Ndërkohë, testet për drogë dhe alkool ndaj drejtuesit të trenit rezultuan negative.
Kompania hekurudhore SNCF Reseau, përgjegjëse për rrjetin hekurudhor francez, u tha mediave vendore se qarkullimi është pezulluar dhe, për të mundësuar ndërhyrjen e shërbimeve të urgjencës, është ndërprerë furnizimi me energji elektrike në shina.
Aksidenti po hetohet nga policia dhe autoritetet hekurudhore. /Telegrafi/






