Kongresisti amerikan, Robert Aderholt, ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin e trazirave në Shqipëri, duke kërkuar respektimin e sundimit të ligjit dhe të drejtave të protestuesve paqësorë.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Aderholt, i cili kryeson Nënkomisionin për Punë, Shëndetësi dhe Shërbime Njerëzore dhe Arsim në Komisionin për Ndarjet Buxhetore të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, ka thënë se populli shqiptar meriton institucione të përgjegjshme dhe lirinë për të shprehur zërin e tij.
“Jam thellësisht i shqetësuar për përshkallëzimin e trazirave në Shqipëri, aleate e NATO-s. Populli shqiptar meriton sundimin e ligjit, institucione të përgjegjshme dhe lirinë për t’i shprehur mendimet e tij. Të gjitha palët duhet ta refuzojnë dhunën, ndërsa qeveria duhet t’i respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë. Të rinjtë e Shqipërisë meritojnë të kenë zë në përcaktimin e së ardhmes së vendit të tyre”, ka shkruar Aderholt.






