Bordi i Chelseat po punon me intensitet maksimal për ta rindërtuar skuadrën, e cila ka nevojë urgjente për një sulmues të besueshëm.
Prioriteti absolut i drejtorit sportiv është forcimi i repartit ofensiv me një lojtar fizikisht të fuqishëm, i aftë të shënojë rregullisht dhe të japë garanci para portës.
Në këtë skenar hyn Xabi Alonso, i cili sapo ka marrë drejtimin e Chelseat me kompetenca të plota për ta ndërtuar ekipin sipas ideve të tij. Trajneri spanjoll synon të rikrijojë sukseset e mëparshme dhe e konsideron thelbësore që të ketë një “nëntësh” me lojë të fortë lidhëse dhe aftësi për ta mbajtur ekipin lart.
Sipas raportimit të “FussballDaten”, objektivi kryesor i Alonsos është Igor Thiago, sulmuesi i Brentfordit. Trajneri bask thuhet se është adhurues i madh i cilësive të brazilianit dhe i ka dhënë dritën e gjelbër klubit që të nisë negociatat menjëherë.
Igor Thiago është bërë i njohur në Angli për forcën e tij në ajër, lëvizjen inteligjente në hapësira dhe aftësinë për të gjetur golin – elemente që përputhen me idetë sulmuese të Alonsos.
Paraqitjet e tij në Ligën Premier kanë tërhequr vëmendjen e disa gjigantëve evropianë, por Chelsea besohet se është në pozicion të favorshëm falë “efektit Alonso” dhe projektit të ri që po ndërtohet në Stamford Bridge. Raporti shton se bisedimet e para, në mënyrë diskrete, kanë nisur tashmë mes ndërmjetësve të të dy klubeve.
Sidoqoftë, realizimi financiar i kësaj lëvizjeje varet shumë nga “spastrimi” i pritur në skuadër. Chelsea duhet të largojë disa lojtarë që konsiderohen të tepërt, për të ulur faturën e pagave dhe për të krijuar hapësirë për afrime të reja.
Nga ana tjetër, Brentford nuk pritet ta lëshojë lehtë golashënuesin e tij dhe raportohet se do të kërkojë një shifër shumë të lartë për kartonin e brazilianit.
Beteja në zyrat e Ligës Premier sapo ka filluar dhe pritet të kthehet në një nga sagat më të nxehta të merkatos verore në Evropë. Alonso thuhet se po e shtyn bordin që marrëveshja të mbyllet para nisjes së fazës përgatitore zyrtare.
Në aspektin sportiv, afrimi i Igor Thiagos do të ishte një hap i madh përpara, duke i dhënë Chelseat një “pikë reference” në sulm dhe më shumë shanse për të konkurruar denjësisht me elitën evropiane./Telegrafi/






