Çfarë pamë në zgjedhje dhe çfarë mund të sjellë për Trumpin, Uashingtonin dhe botën, fitorja e Demokratëve në SHBA?

Bota

Një tërmet politik ka goditur Uashingtonin, ka tronditur presidencën e Donald Trump dhe ka ndryshuar ekuilibrat e pushtetit në Shtetet e Bashkuara. Por këto “goditje dhe tronditje” mund të thuhet se mund të shënojnë edhe një pikë kthese për politikën amerikane në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo pasi që, Demokratët kanë marrë kontrollin e të […]

Madhësia e shkronjave

Një tërmet politik ka goditur Uashingtonin, ka tronditur presidencën e Donald Trump dhe ka ndryshuar ekuilibrat e pushtetit në Shtetet e Bashkuara.

Por këto “goditje dhe tronditje” mund të thuhet se mund të shënojnë edhe një pikë kthese për politikën amerikane në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kjo pasi që, Demokratët kanë marrë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit, duke i dhënë fund dominimit Republikan dhe duke e vënë presidentin Trump përballë një realiteti të ri politik – në raport me zhvillimet, si nga brenda, po ashtu dhe jashtë vendit.

Në Senat, demokratët kanë siguruar 54 ulëse, kundrejt 44 të republikanëve, ndërsa dy gara mbeten ende të papërfunduara.

Ndërsa në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët kanë fituar 240 ulëse, ndërsa republikanët 147, me numërimin e votave që vazhdon.

Dhe kur ka një humbës, sigurisht flitet edhe për “fajtorë” – duke u përmendur të tillë siç mund të jenë lufta me Iranin dhe pakënaqësia ekonomike, te mbështetja për Ukrainën dhe marrëdhëniet me Rusinë.

E kur flasim për pasojat e mundshme, përveç atyre jashtë kufijve amerikanë, pasojat më të mëdha mund të jenë për vetë Trumpin, pasi kjo nuk po vlerësohet vetëm si thjesht një humbje zgjedhore, por një paralajmërim se gjysma e dytë e mandatit mund të shndërrohet në një betejë të vazhdueshme – deri në “mbijetesë politike”.

Por çfarë u pa gjatë këtyre zgjedhjeve?

Shpenzimet marramendëse

Një nga elementet më domethënëse të këtyre zgjedhjeve është fakti se ato kanë shënuar një mobilizim të madh financiar dhe politik.

Sipas organizatës OpenSecrets, shpenzimet për fushatat zgjedhore kanë arritur deri në 12 miliardë dollarë, duke i bërë këto zgjedhjet më të shtrenjta të mesmandatit në historinë amerikane.

Madje, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2022, kur u shpenzuan rreth 9 miliardë dollarë, kjo paraqet një rritje prej afërsisht një të tretës.

Kështu, mund të thuhet se këto shifra tregojnë rëndësinë që të dyja partitë i kanë kushtuar kësaj gare, e cila në praktikë është shndërruar në një “referendum politik” për presidencën e Trump.

Kansasi dërgon një demokrat në Senatin e SHBA-së për herë të parë që nga viti 1932

Demokrati Adam Hamilton fitoi një vend në Senatin e SHBA-së nga Kansasi.

Ai mundi republikanin në detyrë, Roger Marshall, duke u bërë demokrati i parë që fiton një garë për Senatin në këtë shtet konservator dhe kryesisht rural, që nga viti 1932.

Ky rezultat është një goditje për ish-presidentin Donald Trump, i cili fitoi në Kansas me një diferencë prej më shumë se 10 pikësh në secilën nga tri fushatat e tij presidenciale.

Përfaqësimi mysliman

Një tjetër zhvillim me rëndësi historike është rritja e përfaqësimit mysliman në Kongresin amerikan.

Të paktën shtatë ligjvënës myslimanë kanë siguruar vende në institucionet legjislative federale, duke shënuar një përparim të rëndësishëm në përfaqësimin politik të këtij komuniteti.

Në mesin e rezultateve më të veçanta është fitorja e Abdul El-Sayed në Michigan, i cili është paraqitur si myslimani i parë i zgjedhur në Senatin amerikan.

Fitorja e tij ka rëndësi jo vetëm për përfaqësimin e komunitetit mysliman, por edhe për shkak të karakterit të fushatës, gjatë së cilës feja e tij u bë një nga temat e sulmeve politike.

Ky zhvillim është domethënës edhe për shkak të temave që këta përfaqësues kanë vendosur në qendër të debatit politik. Gaza, të drejtat palestineze, ndihma humanitare dhe kushtëzimi i dërgesave të armëve amerikane për Izraelin janë ndër çështjet që pritet të vazhdojnë të jenë pjesë e diskutimeve në Kongres.

Ndërkohë, veç përfaqësimit mysliman, edhe kandidatë që përfaqësojnë disa komunitete të tjera, të ndryshme –kanë arritur fitore historike.

Në këtë kuptim, ndryshimi i përbërjes së Kongresit nuk përfaqëson vetëm një fitore të Demokratëve ndaj Republikanëve, por edhe një zgjerim të zërave dhe qëndrimeve që mund të ndikojnë në politikën e jashtme amerikane.

“Fajtorët” për humbjen e Republikanëve të Trumpit

Një nga shpjegimet që ka dhënë vetë Trump për rezultatin zgjedhor është ndikimi i luftës me Iranin.

Presidenti amerikan ka pranuar se konflikti ka qenë një nga faktorët që kanë ndikuar në humbjen e republikanëve, duke iu referuar veçanërisht rritjes së çmimeve të benzinës.

Edhe pse Trump ka mbrojtur vendimin për ndërmarrjen e veprimeve ushtarake kundër Iranit, duke këmbëngulur se ato ishin të domosdoshme për të parandaluar pajisjen e Teheranit me a*** b*********, pasojat ekonomike të konfliktit duket se kanë pasur një kosto politike për administratën.

Kjo është një dëshmi se politika e jashtme dhe vendimet ushtarake nuk mund të ndahen nga realiteti ekonomik i brendshëm.

Kështu, siç edhe u pa, për qytetarët amerikanë, çmimi i karburantit dhe kostoja e jetesës ishin më të rëndësishme sesa argumentet strategjike të Shtëpisë së Bardhë për ndërhyrjet ushtarake.

Efekti i rezultateve

Në bazë të asaj që është raportuar nga mediat botërore, ndikimi i rezultatit zgjedhor nuk pritet të kufizohet vetëm te politika e brendshme.

Një Kongres i kontrolluar nga Demokratët mund të ndryshojë ndjeshëm edhe raportin e forcave në politikën e jashtme amerikane, veçanërisht në raport me Ukrainën dhe Rusinë – ndoshta dhe me Iranin dhe pjesë të tjera të globit.

Sa i përket luftës në Ukrainë, mund të përmendim pretendimet e kongresmenit demokrat George Whitesides.

Ai kishte thënë se presidenti rus Vladimir Putin është në panik për shkak të mundësisë së humbjes së ndikimit të administratës Trump në politikën amerikane ndaj Kievit.

Sipas tij, Trumpi dhe Putini kanë interes që Ukraina të detyrohet të bëjë lëshime përpara se Kongresi i ri të fillojë punën në janar.

Kështu, me fitoren e Demokratëve, Kongresi i ri mund të marrë masa për ta institucionalizuar mbështetjen për Kievin.

Këto përfshijnë miratimin e ndihmës ushtarake shumëvjeçare, garantimin e shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës, sigurimin e qasjes në sistemet e komunikimit satelitor Starshield dhe ruajtjen e aseteve sovrane ruse të ngrira.

Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë automatikisht se politika amerikane ndaj Ukrainës do të ndryshojë rrënjësisht, por tregon se Trumpi do të ketë shumë më pak hapësirë politike për të vepruar pa kundërshtimin e Kongresit.

Andaj, për Kievin, ky zhvillim mund të përfaqësojë një mundësi për të siguruar mbështetje më të qëndrueshme nga Uashingtoni.

Një efekt tjetër, sipas mediave të huaja, është se humbja e Trumpit mund ta nxisë atë t’i zbusë edhe kërcënimet e tij më drastike për tërheqjen e trupave amerikane nga Evropa.

Por pavarësisht kësaj, ka pak gjasa që ajo të ndalë tërheqjen graduale ushtarake të Uashingtonit nga kontinenti.

Megjithatë, Pentagoni nuk mund ta ulë numrin e ushtarëve në Evropë nën 76,000 në vitin 2026, pa vërtetuar më parë para Kongresit se një veprim i tillë nuk do të dëmtonte sigurinë e SHBA-së ose të NATO-s.

Veç këtyre, ka pak gjasa që fitorja e Demokratëve të ndryshojë ndjeshëm edhe politikën tregtare të SHBA-së, pasi Trump-i ruan kontrollin mbi tarifat dhe marrëveshjet tregtare.

Madje, ka parashikime se humbja mund ta shtojë zemërimin e Trumpit ndaj partnerëve tregtarë dhe të çojë në kërcënime të reja për tarifa.

Nga ana tjetër, Demokratët mund ta shfrytëzojnë ndikimin e tyre të shtuar në Kongres për t’i bërë presion presidentit dhe për të nxitur një stabilitet më të madh në politikën tregtare të SHBA-së.

Reagimet ndërkombëtare

Rezultati i zgjedhjeve nuk ka kaluar pa u vërejtur edhe në arenën ndërkombëtare.

Reagimet nga Evropa, Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme tregojnë se votimi amerikan shihet si një zhvillim që mund të ketë pasoja për marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez i interpretoi fitoret e demokratëve si një refuzim të politikave të ekstremit të djathtë, të cilat sipas tij promovojnë urrejtjen, seksizmin dhe mohimin e ndryshimeve klimatike.

Edhe përfaqësues të tjerë evropianë të politikës e konsideruan rezultatin një goditje për Trumpin dhe një dobësim të pozitës së tij në politikën e brendshme.

Në Teheran, përfaqësues të lartë politikë e interpretuan rezultatin si një mesazh kundër luftës, ndërsa Kina bëri thirrje për forcimin e komunikimit dhe bashkëpunimit me Uashingtonin.

Japonia, nga ana tjetër, theksoi rëndësinë e vazhdimit të aleancës me SHBA-në, pavarësisht ndryshimeve politike në Kongres.

Këto dhe reagime mund të thuhet se tregojnë se aleatët dhe rivalët e Amerikës po përpiqen të kuptojnë se çfarë nënkupton rezultati për vazhdimësinë e politikës së jashtme amerikane.

Për disa qeveri, humbja e Republikanëve mund të përfaqësojë një mundësi për të rishikuar marrëdhëniet me Uashingtonin, ndërsa për të tjera është një sinjal se vendimet e Trumpit mund të përballen me më shumë pengesa institucionale.

Megjithatë, duhet pasur parasysh se kontrolli i Kongresit nuk i jep automatikisht Demokratëve kompetencat e presidentit në politikën e jashtme.

Trump vazhdon të jetë komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura dhe të ketë kompetenca të rëndësishme ekzekutive.

Por Kongresi ka ndikim të madh përmes buxhetit, legjislacionit, mbikëqyrjes dhe miratimit të politikave të caktuara.

Çfarë e pret Trumpin pas humbjes?

Pavarësisht humbjes, Trump ka sinjalizuar se është i gatshëm të bashkëpunojë me Demokratët, por duke lënë të kuptohet se do të kundërshtojë përpjekjet që, sipas tij, synojnë të bllokojnë administratën.

Ai ka rikujtuar gjithashtu se ka të drejtën e vetos presidenciale, një instrument që mund ta përdorë për të penguar miratimin e ligjeve që nuk i mbështet.

Kjo nënkupton se periudha e ardhshme mund të karakterizohet nga përplasje të shpeshta institucionale mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit.

Pavarësisht të gjithave, fitorja e Demokratëve është një paralajmërim se mbështetja politike mund të ndryshojë kur vendimet e administratës përplasen me pritjet ekonomike, sociale dhe të sigurisë së qytetarëve. /Telegrafi/

Komentet