Reperi i njohur shqiptar, Capital T, ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara në Tiranë, të njohura ndryshe si “Revolucioni i Flamingos”.
Të martën, situata gjatë protestave u përshkallëzua, ndërsa disa të rinj mbetën të lënduar nga përplasjet me forcat e policisë.
Përmes një postimi, Capital T dënoi dhunën ndaj qytetarëve, duke theksuar se protesta dhe shprehja e lirë nuk duhet të përballen me brutalitet.
“Dënojmë ashpër çdo akt dhune dhe brutaliteti policor ndaj qytetarëve. Dhuna nuk mund të jetë kurrë përgjigje ndaj protestës dhe shprehjes së lirë”, shkroi reperi.
Foto: Capital T / Telegrafi.com
Ai gjithashtu theksoi se detyra e policisë është të garantojë sigurinë dhe dinjitetin e qytetarëve, e jo të krijojë frikë përmes dhunës.
“Policia duhet të garantojë sigurinë dhe dinjitetin e çdo qytetari, jo të shkaktojë frikë dhe dhunë. Respekt për të drejtat e njeriut, drejtësi dhe përgjegjësi për çdo akt dhune”, u shpreh ai.
Ndërkohë, incidentet e së martës kanë nxitur reagime të shumta edhe nga figura të tjera publike, të cilat kanë shprehur shqetësimin për dhunën dhe lëndimin e protestuesve.
Edhe sot, tensionet kanë vijuar në kryeqytetin shqiptar, ku protestuesit janë përplasur me forcat e policisë pranë Kryeministrisë.






