Burri që kryeson sondazhet në Francë: Ne nuk do ta braktisim Ukrainën, por mbështetja duhet të rishikohet

Bota

Jordan Bardella, lideri i partisë së ekstremit të djathtë në Francë, Tubimi Kombëtar (RN), ka deklaruar se Franca nuk duhet ta braktisë Ukrainën, por mënyra se si Parisi e mbështet Kievin duhet të ndryshojë. Në një intervistë për Bloomberg TV, Bardella tha se mbështetja “e pakushtëzuar” për Ukrainën duhet të zëvendësohet me një marrëdhënie që, […]

Madhësia e shkronjave

Jordan Bardella, lideri i partisë së ekstremit të djathtë në Francë, Tubimi Kombëtar (RN), ka deklaruar se Franca nuk duhet ta braktisë Ukrainën, por mënyra se si Parisi e mbështet Kievin duhet të ndryshojë.

Në një intervistë për Bloomberg TV, Bardella tha se mbështetja “e pakushtëzuar” për Ukrainën duhet të zëvendësohet me një marrëdhënie që, sipas tij, sjell edhe përfitime konkrete për Francën.

Ai e lidhi këtë qëndrim me gjendjen e rëndë financiare të vendit, duke argumentuar se Franca nuk mund të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake dhe financiare pa marrë garanci në këmbim.

“Po mbytemi në borxhe. Po mbytemi në deficite. Është e papërgjegjshme të bëjmë angazhime shpenzimesh dhe të premtojmë mbështetje financiare për një vend pa asnjë garanci. Gjithçka duhet të rishikohet”, tha Bardella.

Megjithatë, lideri i RN-së theksoi se nëse partia e tij vjen në pushtet, Franca nuk do ta ndërpresë mbështetjen për Ukrainën, transmeton Telegrafi.

“Ky nuk është një rast për ta braktisur Ukrainën. Franca ka angazhime. Ajo e mbështet Ukrainën dhe do të duhet të vazhdojë t’i përmbushë këto angazhime, në mënyrë që Ukraina të mund të mbrojë kufijtë dhe integritetin e saj territorial”, deklaroi Bardella.

Bardella vlerësoi gjithashtu qasjen e administratës amerikane për të kërkuar diçka në këmbim të mbështetjes për Ukrainën, duke iu referuar marrëveshjes për qasjen në burimet minerare ukrainase.

Ai kërkoi që edhe ndihma evropiane të shoqërohet me kushte të qarta. Sipas tij, Ukraina duhet të garantojë që fondet që merr nga vendet evropiane të përdoren ekskluzivisht për blerjen e pajisjeve ushtarake nga industria e mbrojtjes e këtyre vendeve.

Bardella pritet të luajë një rol të rëndësishëm në politikën franceze. Nëse Marine Le Pen fiton zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, ai shihet si një prej kandidatëve kryesorë për postin e kryeministrit.

Qëndrimi i tij sinjalizon se, edhe nëse e djathta ekstreme vjen në pushtet në Francë, mbështetja për Ukrainën mund të vazhdojë, por me kushte shumë më të forta dhe me një qasje që e vendos interesin financiar dhe strategjik të Francës në qendër. /Telegrafi/