Logoja zyrtare e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, e realizuar nga dizajneri Dardan Luta, është tashmë një nga simbolet që do ta përfaqësojë Kosovën në organizimin e një prej ngjarjeve më të mëdha sportive që do të mbahet në vend.
Ajo u prezantua në Taranto gjatë ceremonisë përmbyllëse të Lojërave Mesdhetare 2026, në momentin kur Kosova mori zyrtarisht stafetën për edicionin e vitit 2030.
Pas kësaj logoje që në pamje të parë duket e thjeshtë dhe minimaliste, fshihen disa elemente të menduara me kujdes. Vetë forma e përmbysur e numrit 2030 lidhet me Hyjneshën në Fron, një prej simboleve më të njohura të Prishtinës.

Ndërkohë, numrat 2 dhe 3, të vendosur në mënyrë të tillë, krijojnë njëkohësisht shkronjat P dhe R, duke iu referuar emrit të Prishtinës.
Një tjetër element i rëndësishëm janë dy zerot, të cilat marrin forma që kujtojnë motivet karakteristike të qilimave tradicionalë shqiptarë. Edhe tipografia nuk është zgjedhur rastësisht, ajo është frymëzuar nga anatomia e alfabetit latin-romak të zbuluar në Ulpianë, duke futur në identitetin e Lojërave edhe një referencë të drejtpërdrejtë ndaj historisë së lashtë të Kosovës dhe Dardanisë.
Luta ka arritur kështu të bashkojë në një simbol të vetëm Prishtinën, trashëgiminë kulturore, historinë dhe sportin. Kjo ishte pikërisht një prej kërkesave të konkursit për logon, e cila duhej të ishte origjinale, e kuptueshme, e qëndrueshme në kohë, lehtësisht e mbajtshme në mend dhe e përshtatshme për përdorim në formate e madhësi të ndryshme.
Ajo që e bën edhe më interesante këtë logo është se, ndryshe nga shumë projekte të mëparshme të identitetit vizual në Kosovë që shpesh kanë nxitur debate dhe kritika, këtë herë reagimi fillestar ka qenë dukshëm më pozitiv. Për herë të parë një identitet i tillë duket se ka arritur të bashkojë elementet moderne me ato tradicionale pa e ngarkuar simbolin me shumë detaje.
Logoja nuk është vetëm një shenjë grafike për një kompeticion sportiv. Ajo është menduar si një identitet që duhet të funksionojë në fanella, stadiume, dokumente, materiale promovuese, transport, hapësira publike dhe në të gjithë qytetet ku do të zhvillohen garat. Kjo ishte edhe pjesë e kërkesave të konkursit për krijimin e identitetit të plotë vizual të “Prishtina 2030”.
Në këtë kuptim, Dardan Luta ka krijuar një logo që nuk tregon vetëm vitin 2030, por rrëfen një pjesë të historisë së Prishtinës dhe Kosovës përmes formave, shkronjave dhe simboleve. Dhe ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse logoja ka marrë një pritje kaq të mirë: është moderne në pamje, por shqiptare dhe kosovare në përmbajtje. /Telegrafi/





