Kapiteni i Manchester Unitedit, Bruno Fernandes, ka lënë të kuptohet se presionet që vijnë nga jashtë dhomës së zhveshjes kanë ndikuar ndjeshëm në startin katastrofal të klubit në këtë sezon.
Pavarësisht një fitoreje që riktheu moralin në Evropë, mesfushori portugez pranoi se atmosfera që mbizotëron rreth “Old Traffordit” ua ka vështirësuar lojtarëve paraqitjet në fushë.
“Djajtë e Kuq” më në fund i dhanë fund serisë negative prej nëntë ndeshjesh pa fitore në të gjitha garat, duke triumfuar me rezultat dramatik 3-2 ndaj Romës në Ligën e Kampionëve të martën.
Megjithatë, kjo fitore nuk arrin ta fshehë krizën në kampionat, ku skuadra e Michael Carrickut renditet në vendin e 17-të në tabelën e Ligës Premier.
Duke folur pas triumfit në Evropë, Fernandes theksoi se situata aktuale në klub po ndikon edhe në aspektin psikologjik te futbollistët e ekipit të parë.
“Është çështje e vetëbesimit. Në këtë klub është e vështirë kur rezultatet janë negative. Ka shumë faktorë jashtë dhomës së zhveshjes, jashtë kontrollit të lojtarëve dhe stafit teknik, që i bëjnë më të vështira paraqitjet e klubit dhe atë që ne mund të japim në fushë”.
“Kjo ndikon te shumë lojtarë. Disa arrijnë ta përballojnë më mirë, të tjerët më keq. Ne kemi pritshmëri të larta ndaj vetes dhe kur gjërat nuk shkojnë siç duhet, përfundojmë të rënduar mendërisht nga frustrimi që nuk po arrijmë t’i japim klubit atë që besojmë se jemi vërtet të aftë ta japim”, deklaroi Fernandes në një intervistë për TNT Sport Brazil.
U la në stol pas Carrick, Bruno Fernandes befason me deklaratën për trajnerin anglez
“Klubi kishte nevojë për atë fitore ndaj Romës, lojtarët kishin nevojë për të. Ishte diçka që na duhej si grup. Kemi punuar shumë për të dalë së bashku nga kjo situate”.
“Ka qenë e vështirë, pasi në media ka pasur shumë spekulime dhe shumë të pavërteta rreth ngjarjeve në klub, përfshirë edhe ato mes meje dhe trajnerit”.
“Është raportuar se kemi zhvilluar bisedime për t’i sqaruar gjërat mes nesh, por diçka e tillë nuk ka ndodhur”, përfundoi ylli portugez./Telegrafi/