BE-ja i kërkon Kosovës respektimin e ligjit, Palatova takon Sveçlën dhe Konjufcën

Nacionale

Ushtruesja e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, duke përcjellë mesazhin e BE-së për respektimin e sundimit të ligjit dhe karakterit shumetnik të institucioneve. Palatova u takua me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me […]

Madhësia e shkronjave

Ushtruesja e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, duke përcjellë mesazhin e BE-së për respektimin e sundimit të ligjit dhe karakterit shumetnik të institucioneve.

Palatova u takua me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me ç’rast theksoi nevojën që institucionet e Kosovës të veprojnë në përputhje me parimet e sundimit të ligjit.

“BE-ja pret që pretendimet për sjellje të pahijshme nga Policia e Kosovës të hetohen dhe që çfarëdo rrënimi të kryhet duke respektuar procedurat e rregullta ligjore”, thuhet në mesazhin e përcjellë nga BE-ja.

Në të njëjtën ditë, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti Palatovën në një takim lamtumirës.

Konjufca e falënderoi Palatovën për angazhimin dhe bashkëpunimin e saj gjatë mandatit në Kosovë, duke vlerësuar kontributin në forcimin e dialogut ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Është e rëndësishme të avancojmë procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me BE-në në fushat me interes të përbashkët”, u theksua në takim.

Ndërkaq, Palatova ka përcjellë mesazhin se BE-ja vazhdon ta mbështesë rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.

“BE-ja mbështet rrugën e Kosovës drejt BE-së; Kosova duhet ta bëjë pjesën e saj”, thuhet në mesazhin e saj.

Në fund të takimit, Konjufca i uroi Palatovës suksese në angazhimet e saj të ardhshme. /Telegrafi/