Atdhe Hykolli rizgjidhet kryetar i BSPK

Nacionale

Me fokus te forcimi i dialogut social dhe mbrojtja e të drejtave të punëtorëve, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës mbajti Kongresin e nëntë zgjedhor, ku Atdhe Hykolli u rizgjodh në krye të BSPK-së edhe për një mandat. Në kongres morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, sindikatave nga rajoni dhe Evropa, të cilët theksuan […]

Madhësia e shkronjave

Me fokus te forcimi i dialogut social dhe mbrojtja e të drejtave të punëtorëve, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës mbajti Kongresin e nëntë zgjedhor, ku Atdhe Hykolli u rizgjodh në krye të BSPK-së edhe për një mandat. Në kongres morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, sindikatave nga rajoni dhe Evropa, të cilët theksuan rëndësinë e dialogut social, respektimit të të drejtave të punëtorëve dhe rolit të sindikatave në zhvillimin ekonomik e demokratik të vendit.

Atdhe Hykolli do t’i prijë edhe një mandat Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

“Na pret marrëveshja e përgjithshme kolektive që është shumë e rëndësishme, na presin edhe shumë punë të tjera që i kemi në arenën ndërkombëtare sepse na tash jemi pjesë e Këshillit ekonomiko-social evropian i cili është shumë i rëndësishëm sepse Kosova mund ta fitoj statusin edhe me përkrahjen e BSPK-së. Ne këtë vend e dojmë e duhet të punojmë po fillimisht duhet të bëjmë një dialog social shumë të sinqertë në Kosovë e pastaj të vazhdojmë me rrugët tjera që i kemi”, tha ai.

Pjesë të kongresit të nëntë zgjedhor, ishin edhe përfaqësues të sindikatave të tjera nga vendi e rajoni.

“Dialogu që na forcon ka rëndësi thelbësore. Dialogu ndërmjet sindikatave dhe punëdhënësve është me rëndësi themelore, sepse mundëson arritjen e kompromiseve që përfitojnë e gjithë ekonomia dhe shoqëria. Për këtë, shtetet e BE-së e kanë përfshirë dialogun social në Traktatin e BE-së 30 vjet më parë”, theksoi Peter Scherrer, përfaqësues i Konfederatës Evropiane të Sindikatave-Bruksel.

“Forca e një kombi nuk matet vetëm me ushtrinë e tij as me ekonominë, forca e një kombi matet me mënyrën se si i trajtojmë punëtorët dhe qytetarët e vet, kur respektohet puna, kur mbrohet punëtori, forcohet shteti, kur dëgjohet zëri i sindikatave forcohet demokracia dhe kur shqiptarët bashkohen për drejtësi sociale nuk ka sfidë që nuk kapërcehet”, pohoi Kolë Nikollaj, president i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë.

Ndërkohë Kryeministri në detyrë Albin Kurti,u zotua për politika qeveritare drejt ndërtimit të një tregu pune më dinjitoz për të gjithë.

“Shteti ynë po kalon një fazë të rëndësishme të konsolidimit ekonomik dhe institucional dhe në këtë proces punëtorët mbeten shtylla kryesore e zhvillimit të vendit, prandaj politikat tona janë të orientuara drejt ndërtimit të një tregu pune më të drejt dhe më dinjitoz për të gjithë”, tha ai.

Gjatë punimeve të kongresit, delegatët diskutuan për raportin financiar, zhvillimet në fushën e dialogut social si dhe mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve.