Një arratisje spektakolare ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Greqi, gjatë transferimit të një të burgosuri shqiptar nga burgu i Nigritës drejt Spitalit të Përgjithshëm të Serres.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30, kur automjeti i transportit të të burgosurve ndodhej në oborrin e spitalit, pranë pavijonit të psikiatrisë. Brenda furgonit ndodheshin 41-vjeçari shqiptar dhe dy punonjës të shërbimit të jashtëm të sigurisë së burgut.
Në atë moment, pranë furgonit u afruan disa persona që dyshohet se ishin bashkëpunëtorë të të burgosurit. Ata lëviznin me automjete që ngjanin me mjete policie. Njëri prej automjeteve raportohet të ketë qenë një Nissan Navara, i ngjashëm me mjetet që përdoren nga njësitë speciale, dhe ishte i pajisur me një dritë sinjalizuese, shkruan Protothema.

Për këtë arsye, shoqëruesit fillimisht dyshuan se bëhej fjalë për efektivë policie. Por situata ndryshoi brenda pak sekondash, pasi personat zbritën nga automjetet të armatosur me Kallashnikovë.
Nën kërcënimin e armëve, autorët neutralizuan dy shoqëruesit dhe hapën furgonin e transportit. Më pas, ndihmuan 41-vjeçarin shqiptar të arratisej. Sipas informacioneve paraprake, gjatë largimit ata morën edhe armën e shërbimit të një prej punonjësve të burgut.
Autorët u larguan me automjetet e tyre dhe deri tani nuk janë lokalizuar.
Në momentin e ngjarjes, në ambientet e spitalit ndodheshin edhe dy të burgosur të tjerë, të cilët ishin transportuar për trajtim mjekësor nën shoqërim të veçantë.
41-vjeçari shqiptar ishte arrestuar vitin e kaluar nga strukturat greke kundër Krimit të Organizuar. Sipas informacioneve të mediave greke, ai dyshohet se ishte i përfshirë në një çështje të tentativës për vrasje në Selanik, pas një incidenti të ndodhur në një kantinë.
Ai dyshohet gjithashtu se ka pasur lidhje me çështje të tjera që lidhen me armë dhe drogë. /a2cnn/





